Xhihadistët nga Kosova, produkt i disa imamëve nga Shkupi

Në Siri e Irak janë edhe 232 luftëtarë nga Kosova, shumica e të cilëve shkuan gjatë vitit 2013.

Lajme

13/04/2015 20:48

Ky numër është raportuar në hulumtimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, i cili flet për shkaqet e pasojat e përfshirjes së luftëtarëve nga Kosova në këtë luftë të Lindjes së Mesme.

Hulumtimi thotë se ideologjia radikale e dhunshme dhe ekskluzive e tekfirit nuk është diçka që është e kultivuar dhe rritur në Kosovë gjithë kohës.

Por, si filloi ajo të zë vend ndër shqiptarët gjithë andej pas vitit 1999 në Kosovë?

“Kjo ideologji ka gjet vend në Kosovë përmes një numri të imamëve të Shkupit, që e kanë vizituar e kanë studiuar në Lindjen e Mesme, ku kanë rënë preh e qarqeve tekfire tërësisht në bazën e saj ideologjike në Egjipt”, thuhet në raport.

Mësimet tekfire që u përqafuan më tepër në Kosovë, u intensifikuan gjatë vitit 2005. Sipas këtij hulumtimi, shumica e atyre që shkuan për të luftuar për Shtetin Islamik, janë të paarsimuar, me dosje kriminale dhe kanë kushte të dobëta ekonomike.

“Shumica e atyre që e përqafuan ideologjinë tekfiriste janë kryesisht të rinj, të cekët, mendjelehtë, injorantë, pa përvojë dhe pasi nuk marrin referenca fetare nga studiues të besueshëm fetar, zakonisht joshen nga një trup i tretë që ndjek rrugë të shtrembëruara për kryengritje dhe nxiten nga hipokrizia”, thuhet në hulumtim.

Urrejtjen ndaj të arsimuarve, që e shfaqi Lavdrim Muhaxheri, e konfirmon edhe një ish-pjesëmarrës i kësaj lufte, i intervistuar për nevojat e këtij hulumtimi.

“Muhaxheri u kishte kërkuar rekrutuesve në Kosovë që të mos dërgojnë njerëz të ndritshëm dhe të arsimuar. Ai i donte ata që i bindeshin dhe që lehtësisht mund t’i ndiqnin urdhrat pa bërë pyetje”, tha ai.

Autori ka dhënë edhe rekomandime për institucionet shtetërore e fetare në punimin e tij.

QKKS ka konstatuar se duhet të ketë një program rehabilitimi për ata që dëshirojnë të kthehen në Kosovë, por jo të gjithë duhet të trajtohen njësoj. Në dokument rekomandohet që autoritetet t’i shmangen sa më shumë që është e mundur arrestimeve dhe dënimeve të këtyre njerëzve.

Ndërsa, krerët e BIK-ut këshillohen të shtojnë dhe të zbatojnë inspektimin më rigoroz nëpër xhami lidhur me mësimet dhe punët e tjera fetare që kryhen në to. Hulumtimi thotë se duhet të parandalohet krijimi i statusit të famshëm të imamëve që kanë mendime radikale e ekstremiste. Ndërsa imamët kredibil duhet të qëndrojnë afër ndjekësve të tyre dhe të mos i injorojnë tekfiristët, siç po quhen ndryshe në këtë hulumtim radikalët, raporton Klan Kosova.