Xhihadistët e pësojnë te Kobane dhe në rrethinat e Damaskut

Qeveria siriane ka arritur të shtrijë kontrollin e saj në vendet strategjike jashtë kryeqytetit Damask, të cilat xhihadistët e “Shtetit Islamik” (IS) i kanë shfrytëzuar për të sulmuar  kryeqytetin, kanë njoftuar të hënën mediat dhe organizatat monitoruese.

Bota

06/10/2014 17:39

Televizioni i shtetit, ka transmetuar ngjarjet direkt nga Dakhaniyeh, në jug të Damaskut, ndërsa Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar se “rebelët janë larguar”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ky largim ka ardhur pas një muaji prej se qeveria siriane ka filluar një ofensivë për të rimarrë kontrollin e asaj zone, nga ku rebelët kanë sulmuar dhe kanë gjuajtur granata në qytetin e vjetër të Demaskut dhe në Jaramana, një zonë tjetër jashtë kryeqytetit.

Forcat ushtarake “kanë kthyer sigurinë dhe stabilitetin në Dakhaniyeh dhe përreth saj”, ka thënë televizioni shtetëror, duke shtuar se “një numër i madh i terroristëve janë vrarë”.

Një zyrtar i sigurisë ka thënë se rimarrja e kësaj zone do të mundësojë që forcat e shtetit t’i luftojnë grupet terroriste edhe në Ain Tarma dhe Jobar, dy zona këto përreth kryeqytetit, që vazhdojnë të kontrollohen nga xhihadistët.

“Operacioni do të vazhdojë derisa i gjithë territori të pastrohet nga terroristët”, ka thënë ky zyrtar.

Sipas Observatorit sirian, katër ushtarë siriane janë vrarë, kur kanë hyrë në Dakhaniyeh, nga një bombe e vendosur prej xhihadistëve.

Në një zhvillim tjetër në vendin Kobane, në kufi em Turqinë, të dielën mbrëma janë vrarë të paktën 20 xhihadistë të IS, derisa po përpiqeshin për ta rimarrë qytetin, ka njoftuar Observatori për të Drejtat e Njeriut në Siri.

Sipas observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, xhihadistët janë vrarë pasi kanë hyrë në një lagje lindore të qytetit, ku janë pritur në sulm nga luftëtarët kurdë të Njësisë për  Mbrojtjen e Popullit.

Por, raportohet se kjo nuk ka bërë që militantët e IS të ndalen. Sot, ata përsëri i janë afruar qytetit Kobane dhe madje kanë ngritur një flamur afër këtij vendi, si shenjë për t’ju treguar kurdëve që janë afër për t’ju rimarrë  qytetin.

Tash sa kohë, lufta mes tyre dhe kurdëve është koncentruar në Kobane, pasi që IS me çdo kusht kërkon okupimin e kufirit siriano-turk.