Xhihadistë ekzekutojnë edhe 50 sunitë në Irak

Lideri i një fisi sunit proqeveritar në provincën Anbar në Irak, Sheik Naim al-Gaud tha se xhihadistët e Shtetit Islamik kanë kryer vrasje masive kundër civilëve të fisit të tij, duke e ngritur në 200 numrin e burrave, grave dhe fëmijëve që kanë ekzekutuar ditëve të fundit. 

Bota

02/11/2014 13:34

Lideri fisnor tha se xhihadistët e grupit Shteti Islamik sot kanë ekzekutuar publikisht 50 pjesëtarë të tjerë të fisit Al-Bou Nimr, në fshatin Ras al-Maa, nga i cili banorët ishin larguar pasi xhihadistët e kishin okupuar qytetin Hit, transmeton REL.

Më tutje, al-Gau tha se militantët e IS vazhdojnë t’i mbajnë afro 125 pjesëtarë të fisit në fshatin Ras al-Maa.

Pjesëtarët e fisit Al-Bou Nimr kanë luftuar së bashku me forcat qeveritare kundër militantëve të IS.

Ky grup ekstremist islamik ka vazhduar të okupojë territore në provincën Anbar, gjatë javëve të fundit, megjithë sulmet ajrore kundër tyre që i ndërmerr koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.