“Xhihadi nuk do të thotë të derdhim gjak në konflikte të huaja, por të ndërtojmë shtetin tonë”

Imamët e Kosovës së shpejti do të fillojnë të mbajnë ligjërata fetare për rehabilitimin dhe ri-integrimin e personave të burgosur nëpër dhjetë institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, në veçanti për të dënuarit që kanë qenë pjesë e luftërave të huaja apo të dënuarit nga terrorizmi dhe radikalizmi fetar.

Lajme

09/06/2018 17:03

Ligjëratat do të koordinohen me angazhimin e Bashkësisë Fetare Islame (BIK) të Kosovës, si pjesë e marrëveshjes së arritur muajin e kaluar midis këtij institucioni fetar dhe Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, me anë të të cilave synohet pendimi i të dënuarve për të bëmat e tyre dhe pas vuajtjes së dënimit të japin kontributin e tyre në shoqëri.

Nga Bashkësia Islame e Kosovës për Anadolu Agency (AA) bëjnë të ditur se numri i shtetasve kosovarë që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja është rreth 340, përfshirë këtu meshkuj, femra dhe fëmijë, një pjesë e të cilëve janë kthyer, ndërsa një pjesë tjetër është vrarë në ato vende.

Kryeimami i BIK-ut, Sabri Bajgora, në një prononcim për AA thotë se rreziqet e radikalizmit fetar janë prezente në gjithë botën dhe se asnjë shtet i botës nuk është imun (i përjashtuar) nga kjo dukuri. Duke theksuar se edhe në Kosovë nuk mungojnë rreziqe të tilla, ai thotë se BIK-u gjithmonë ka ngritur zërin që të mos shkohet nëpër këto luftëra dhe konflikte.

“Imamët e Kosovës me ligjërimet e tyre nëpër xhami kanë kontribuar që të rinjtë të vetëdijësohen dhe të mos e marrin atë rrugë, e cila ka qenë gabim. Sepse, nëse e marrim nga spektri fetar, xhihadi i shenjtë që ne e quajmë, nuk do të thotë luftë, por do të thotë përpjekje për ndërtimin e shtetit tonë. Ky është xhihadi që ne duhet ta promovojmë, kjo është lufta jonë që ta përparojmë shtetin tonë, e jo të derdhim gjak nëpër konfliktet që nuk na takojnë neve”, deklaron Bajgora për AA.

Imamët dhe hoxhallarët e BIK-ut do të kenë qasje nëpër burgje së bashku me një spektër më të gjerë të psikologëve dhe sociologëve. Parashikohet që ata të kontribuojnë në rehabilitimin e rreth 1.600 deri në 1.800 të burgosurve, përfshirë edhe të atyre që janë të dënuar për radikalizëm dhe fanatizëm fetar, numri i të cilëve pretendohet të jetë rreth 50.

Duke u bazuar në listën që i është proceduar Ministrisë së Drejtësisë, Bajgora vuri në dukje se në këtë proces në Kosovë do të angazhohen 20 teologë, në mesin e të cilëve dy profesoresha të Fakultetit të Studimeve Islame të cilat do të ligjërojnë nëpër shtëpitë korrektuese me botën femërore dhe me fëmijët. Ndërkohë, 18 të tjerët parashikohet që të ligjërojnë në dhjetë shtëpi korrektuese, përfshirë Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz dhe Burgun e Dubravës që ka më së shumti të burgosur.

Sipas Bajgorës, kjo praktikë që parashikohet të realizohet nga BIK-u me ligjërata për të burgosurit zbatohet nga të gjitha vendet evropiane, të cilat angazhohen për një trajtim të veçantë për të privuarit nga liria.

Ai më tej shpjegon se hoxhallarët do të jenë më të afërt me të burgosurit duke komunikuar nga spektri shpirtëror, pasi që siç thotë ai, dihet që të burgosurit për vepra të radikalizmit dhe terrorizmit janë më të lënduar dhe më të penduar se të tjerët.

Bajgora thekson se komunikimi i të burgosurve me hoxhallarët, sociologët apo psikologët, përsëri varet nga dëshira dhe vullneti i të privuarve nga liria që vuajnë dënimin, por thekson se të angazhuarit për këtë detyrë nga BIK-u janë të edukuar me trajnime shtesë për të pasur konukimim me këtë klas të të burgosurve.

Ende nuk dihet koha e saktë se kur do të fillojnë ligjëratat, por Bajgora thekson se ligjëratat e këtilla parashikohen të mbahen një herë në javë, ndërsa kohëzgjatja e tyre nuk është përcaktuar ende. Ndërkaq, për të burgosurit me delikuenca të ndryshme do të ketë një program tjetër risocializimi, përkatësisht një përgatitje që ata të jenë sërish pjesë e shoqërisë pas vuajtjes së dënimit.

Bajgora në fund thekson se mbështetja për BIK-un nga Qeveria e vendit, si dhe e segmenteve të sigurisë që merren me fenomenin e radikalizmit dhe terrorizmit ka qenë e parezervë. Ai bën të ditur se qeveria kosovare në vitin 2015 poashtu ka aprovuar dy ligje që ndalojnë në mënyrë eksplicite pjesëmarrjen e shtetasve kosovarë në luftëra të huaja, sipas të cilave mundësohet edhe dënimi ndaj këtyre personave.