Xhihadi në stilin e Malala’s

Malala Yousafzai tha se do t’u tregojë talibanëve se xhihadi i vërtetë është ai përmes lapsit dhe fjalëve. Dhe këtë xhihad është duke e bërë ajo. Mbrëmë ajo u intervistua nga Christiane Ammanpour.

Bota

14/10/2013 12:56

Kur Malala Yousafzai u zgjua nga koma, pasi talibanët e kishin qëlluar në kokë, ajo dinte shumë pak gjëra.

“Po, Malala ty të kanë qëlluar”, i kishte thënë ajo vetës.

Ajo rikujtoi ëndrrat e saj- e shtrirë në një barelë, në një vend të largët nga shtëpia dhe shkolla e saj- dhe e kuptoi se ato nuk ishin ëndrra, por kujtime.

“Motrat medicinale dhe doktorët, të gjithë flisnin anglisht”, kujton ajo. “E kuptova se tashmë nuk isha në Pakistan”.

Gjithçka që donte Malala Yousafzai ishte të shkonte sërish në shkollë.

Por ajo jetonte në një zonë të Pakistanit, në Luginën Swat, ku talibanët kishin marrë në mënyrë efektive qeverisjen, dhe kishin imponuar një ideologji të ashpër- që nuk lejohej muzika, femra të pambuluara, dhe sigurisht vajzat nuk lejohen të shkojnë në shkollë.

Sepse kishte sfiduar rregullat e tyre, dhe kishte refuzuar të qëndronte e heshtur, talibanët tentuan që ta vrisnin Malala’n e cila atëbotë ishte 15 vjeçare.

Mrekullisht, ajo shpëtoi, dhe vazhdoi të fliste të vërtetën për fuqinë e edukimit, ekstremizmit dhe barazisë.

Pothuajse një vit më pas që nga dita e atentatit kundrejt saj, Malala dhe babai i saj Ziauddin, folën për gazetaren e CNN, Christiane Amanpour, përballë një audience në sallën e qytetit në rrugën 92 Y, në qytetin e New York.

Talibanët, i tha ajo Amanpour, “thonë që ata do të luftojnë për Islamin… Pra mendoj se ne duhet të mendojmë edhe për ata”.

“Prandaj unë dua t’u tregoj talibanëve që të jenë paqësorë”, tha ajo “dhe xhihadi i vërtetë është të luftosh përmes lapsit dhe të luftosh nëpërmjet fjalëve. Jo ky xhihad. Dhe ky është xhihadi që unë po e bëj. Unë jam duke luftuar për të drejtat e mija, për të drejtat e secilës vajzë”.

Pas një jave ajo u zgjua nga koma dhe kërkoi nga nëna dhe babai i saj një copë letre që të shkruaj; ajo kishte një tub në fytin e saj që ja ndalonte të fliste.

“Gjëja e parë që kam bërë është që kam falënderuar Allah’un- e falënderova Zotin, sepse unë shpëtova, unë po jetoja”, i tha ajo Amanpour’it.

“Ata më thanë se babi im ishte i sigurt dhe do vinte së shpejti, sa më shpejt që të ishte e mundur”, kujton ajo.

“Dhe pyetja e dytë që ishte shumë e rëndësishme për mua dhe për të cilën po mendoja– kush do të paguante për mua ? Sepse unë skam para dhe gjithashtu e dija që babai im po ndiqte një shkollë, por ndërtesa e shkollës ishte me qira, dhe shtëpia gjithashtu ishte me qira… dhe pastaj mendova se ai tashmë kishte filluar të kërkonte nga njerëzit para borxh”.

Vajza 15 vjeçare, vetëm një javë pasi ishte qëlluar në kokë nga talibanët, ishte e shqetësuar se si  do të paguheshin faturat e saj mjekësore.

Rrethanat e jashtëzakonshme

Malala ishte vetëm 10 vjeçare kur talibanët erdhën në qytetin e saj, në Luginën Swat, shkruan ajo në autobiografinë e saj këtë javë, “Unë jam Malala”.

“Moniba dhe unë kishim lexuar librat e Twilight dhe dëshironim të bëheshim vampire”, shkruan ajo. “Na dukej ne se talibanët erdhën natën, njësoj sikurse vampirët”.

Talibanët filluan predikimet e natës në Radio FM. Të gjithë filluan ta quanin radion, “Mullah FM”.

Në fillim, mesazhet ishin udhëzime për mënyrën e jetesës dhe bënin apel tek audienca për jetë të devotshme, duke përfshirë dhe nënën e Malala’s.

Shumë shpejt, ata filluan të bëheshin më radikalë, duke u bërë thirrje njerëzve që të mos shikojnë TV e as të dëgjonin muzikë.

Pastaj Malala i tha Amanpour, se Radio Mullah- siç e quanin ata këtë radiostatcion- bëri një shpallje për nxënëset e reja, të cilën ajo nuk ka mundur t’i bindë.

“Asnjë vajzë nuk ishte e lejuar të shkonte në shkollë”, rikujton atë që ai tha. “Dhe nëse ajo shkon, ju e dini se çfarë do të bëjmë ne”.

Ata përgëzuan vajzat që ju përgjigjën pozitivisht kësaj thirrjeje.

“Zonjusha kjo dhe ajo, është ndalur së shkuari në shkollë, do të shkojë në parajsë”, tha ai”, shkruan Malala.

Dhe nëse ec përreth qytetit të saj në Mingora, në Luginën Swat, për të parë se çfarë ndodhë me ato nëse takohen me talibanët- gratë rrihen në rrugë me kamxhik, meshkujt pa koka qëndrojnë nëpër hendeqe.

Por Malala nuk iu përgjigj kësaj thirrjeje. Ajo vazhdoi të shkojë në shkollë siç kishte bërë normalisht, dhe vazhdonte të dëgjonte muzikë perëndimore- Justin Bieber dhe Selena Gomez.

Televizioni Pashtun kishte intervistuar disa nxënës, duke përfshirë edhe Malala’n, për jetën në Swat. Pas kësaj interviste, ajo kishte folur edhe për stacionin nacional, Geo TV.

“Nuk doja që të qëndroja e heshtur, sepse do të duhej të jetoja në këtë situatë përgjithmonë”, tha ajo, pothuajse duke bërtitur në fjalët e saj të fundit. “Dhe kjo ishte ide e mirë sepse përndryshe ata do të na vrisnin të gjithëve- pra ishte ide më e mirë që të flisje se sa të vriteshe”.

“Teksa po kthehesha në shtëpi nga shkolla dëgjova një njeri teksa më tha “Do të të vras”, shkroi ajo në ditarin e saj më 3 janar 2009. Unë shpejtova hapat dhe ktheja kokën të shihja nëse njeriu më ishte vënë pas, por ai ishte duke folur në telefon dhe si duket ishte duke kërcënuar dikë tjetër”.

Kauza

“Në Swat, para terrorizmit, ne shkonim në shkollë”, i tregoi Malala, Amanpour’it. “Ishte një jetë normale, duke bartur çantën time të rëndë dhe duke bërë detyrat e shtëpisë përditë, duke qenë e mirë dhe duke marrë nota të mira”.

“Kur erdhën terroristët, ata na ndaluan që ne të shkonim në shkollë, për këtë gjë unë kam marrë prova”, tha ajo. “Dhe ata më treguan provën, se po, terroristët janë të frikësuar nga edukimi. Ata janë të frikësuar nga fuqia e edukimit”.

“Ata bën një gabim, gabimin më të madh. Ata më dëshmuan mua, ata më treguan mua, përmes sulmit të tyre, se edhe vdekja më mbështet mua, se edhe vdekja nuk do që të më vras mua”.

“Puna është që, ata mund të më vrasin. Ata mund ta vrasin vetëm Malala’n. Por kjo nuk do të thotë se ata mund të vrasin edhe kauzën time; kauzën time për edukimin, kauzën time për paqe, dhe kauzën time për të drejtat e njeriut. Kauza ime për barazi dhe më tutje do të vazhdojë të mbijetojë. Ata nuk mund të ma vrasin kauzën”.

“Ata thjesht mund të vrasin një trup”, tha ajo, “por nuk mund të vrasin ëndrrat e mia”.