Xhemati Zgjedhor

Analisti Shkëlzen Maliqi konsideron se elektorati i Kosovës mbetet konservator, i ndarë në tabore dhe bastione, brenda të cilëve ka shumë pak lëvizje. Në një intervistë për lajmi.net ai thotë se në këto zgjedhje mund të ketë paralajmërime tendencash.

Lajme

02/11/2013 13:22

Zgjedhjet lokale të kësaj të diele nuk pritet të prodhojnë ndonjë surprizë të madhe. Procesi zgjedhor i 3 nëntorit, megjithatë, pritet të shënojë lëvizje të elektoratit dhe rotacion të pushtetit, ndonëse në pak komuna.

Analisti i njohur, Shkëlzen Maliqi, një njohës i thellë i proceseve zgjedhore në Kosovë, thotë në një intervistë për lajmi.net se elektorati i Kosovës mbetet konservator, i ndarë në tabore dhe bastione, brenda të cilëve ka shumë pak lëvizje.

Maliqi e sheh si pozitive pjesëmarrjen e Partisë së Fortë në këto zgjedhje, e cila i ka dhënë sharm një fushate të mërzitshme 30 ditore.

Ai thotë se në këto zgjedhje mund të ketë paralajmërime tendencash, por ao nuk do të jenë përcaktuese pë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dhe merr një shembull: është e vërtetë se Limaj dhe Krasniqi po sfidojnë PDK’në, por ata testohen vetëm në Malishevë.

A do të përhapet ky virus dhe në çfarë përmasa në komunat tjera?

Shkëlzen Maliqi ndan me lexuesit e lajmi.net pritjet e tij për këto zgjedhje, duke i bërë një analizë tërë procesit zgjedhor.

Lajmi.net: Z. Maliqi, a mund të na thoni në pika të shkurtra disa nga aspektet më karakteristike të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 3 nëntorit? Çfarë do të mund të veçonit?

Shkëlzen Maliqi: Është fushatë e mërzitshme dhe me shumë përsëritje, gati deri në stereotipi. Te partitë kryesore ka shumë pak invencion dhe profilizim kreativ dhe premtues për të ardhmen. Kjo ndoshta pse kandidatët “më të spikatur” në këto zgjedhje janë reciklim. Madje, edhe atje ku gara do të jetë e ngushtë, p.sh., në Prizren dhe Gjilan, kemi déjà vu politike, prandaj kushdo që do të fitojë do të jetë “diçka e ndodhur”. Megjithatë, këto zgjedhje i shpëton paraqitja e fuqishme e Partisë së Fortë dhe e Kryetarit të saj Lexhendar, Visar Arifaj.

Lajmi.net: A parashikoni lëvizje të rëndësishme të elektoratit në këto zgjedhje?

Shkëlzen Maliqi: Elektorati i Kosovës mbetet konservator, i ndarë në tabore dhe bastione, brenda të cilëve ka shumë pak lëvizje. Votues që nuk janë xhemat, por të tillë mendohen dhe zgjedhin, nuk ka mjaftueshëm që të bëjnë diferencën. Deri më sot lëvizjet në elektorat kushtëzoheshin nga krizat e udhëheqjes të partive dhe jo nga programet ose kërkesat dhe pritjet e votuesve. Rasti më drastik është konflikti Sejdiu – Daci, që përgjysmojë LDK’në. Në zgjedhjet e 3 nëntorit një sfidë e ngjashme e pret PDK’në, pasi që Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi u rreshtuan kundër Hashim Thaçit.

Një lëvizje e re, shumë premtuese, që kësaj here garon vetëm në Prishtinë, është tentimi i tretë që të njihet veçantia e interesave të qytetarisë, e cila pas dështimeve të ORA’s dhe FER’it, përfaqësohet nga Partia e Fortë.

Partia e Fortë ngre kryet si parodi e skenës me gallata demaskuese duke sjellë frymën më bashkëkohore politike që besoj se e bëjnë atë edhe parti fertile. Së fundi, lëvizje e rëndësishme do të jetë edhe ajo e inkuadrimit të plotë të subjekteve politike të minoriteteve në sistemin tonë zgjedhor. Pjesëmarrja e serbëve të veriut nuk do të jetë vetëm kompletim i thjeshtë i mozaikut.

Lajmi.net: Sipas mendimit tuaj, zgjedhjet e 3 nëntorit deri në ç’masë do të jenë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare?

Shkëlzen Maliqi: Këto zgjedhje mund të ketë paralajmërime tendencash, por jo të jenë edhe përcaktuese. P.sh., është e vërtetë se Limaj dhe Krasniqi po sfidojnë PDK’në, por ata testohen vetëm në Malishevë. A do të përhapet ky virus dhe në çfarë përmasa në komunat tjera, mbetet të shohim, dhe nuk është e thënë që të kërcënojë PDK’në edhe në zgjedhjet e përgjithshme.

Esenciale për zgjedhjet nacionale do të jetë raporti i forcave mes PDK dhe LDK, e pastaj edhe rangimi i partive tjera, VV dhe AAK, që me gjasë nuk do të mund të dalin në dy vendet e para, por garojnë për pozitën e tretë. Dallimi mes elektoratit të PDK dhe LDK ka qenë rreth 7 për qind, përkatësisht rreth 50 mijë votues, në favor të PDK’së. Zgjedhjet lokale mund të tregojnë se çka po ndodh me këtë diferencë, por besoj më shumë si tendencë dhe jo edhe faktor përcaktues për zgjedhjet nacionale.

Lajmi.net: Si e konsideroni betejën për Prishtinën? Sa ka qenë e rëndësishme për pozicionimin e partive në skenën politike?

Shkëlzen Maliqi: Prishtina ka qenë bastion i LDK’së, e cila me gjasë do të mbetet në pushtet edhe pas këtyre zgjedhjeve. Por, në Kryeqytet kësaj here i shoh dy sfida serioze për dominimin e LDK’së në të ardhmen – Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë e Fortë, që mund të ndikojnë edhe në nivelin nacional.

Nëse Shpend Ahmeti, si Kandidat për Kryetar të Komunës nga VV, e siguron pjesëmarrjen në balotazh, gjë që besoj se do të ndodhë, dhe në garën me Isa Mustafën mobilizon një pjesë të votuesve të partive tjera që nuk janë të kënaqur me drejtimin e Prishtinës. Kësisoj, edhe nëse nuk fiton, ai do t’i japë një shtytje Lëvizjes Vetëvendosje që t’i tejkalojë qëndrimet romantiko-revolucionare dhe të bëhet më depërtuese në shtresat e elektoratit që kërkojnë alternativë reale për keqqeverisjet e PDK’së dhe LDK’së, por nuk i zënë besë pjesëve të programit të VV’së.

Sa i përket Partisë së Fortë, ajo aspak nuk është parti me synime lokale, por po gjeneron përkrahje gjithandej Kosovës, madje edhe në botë. Unë pres që pas zgjedhjeve, drejtuesit e saj, që janë shumë inteligjentë dhe kreativë, do ta rimendojnë strategjinë e zhvillimit të PF’së, duke hapur edhe debatin me anëtarësinë dhe simpatizuesit rreth programit pozitiv, gjithsesi pa hequr dorë nga parodizimet dhe gallatat që i kanë popullarizuar dhe i kanë dhënë sharm fushatës zgjedhore.