Xhavit Haliti: Korrupsioni luftohet me një kryeministër trim

Një ditë pasi ‘State Departamenti’ amerikan raportoi për korrupsion endemik në Kosovë, edhe nënkryetari i partisë më të madhe në vend Xhavit Haliti pranon se korrupsioni është i lartë dhe i ndërlidhur me zyrtarë të politikës.

Lajme

15/04/2016 22:18

Ai e pranon gjithashtu se korrupsioni nuk mund të bëhet pa qenë i ndërlidhur me klasën politike. E sipas tij, ky korrupsion luftohet me një kryeministër trim. Të pashmangshëm e quan ndryshimin e ligjit.

“Ne kemi rreth 1 miliard e 600 mijë euro buxhet të Kosovës dhe realisht unë besoj se një pjesë e madhe e këtij buxheti thithet nga diçka që nuk shihet dhe nuk e di askush. Vetë sistemi i prokurimit në Kosovë e ka kriju mundësinë e korruptimit. Fuqia e politikanëve në këtë rast për të mos dhënë llogari për nëpunësit e vet që veprojnë, jogatishmëria e tyre për të dhënë dorëheqja dhe për të dhënë përgjegjësi për veprimet e vartësve të tyre. Të gjitha këto e kanë një domethënie që duhet diçka te ndryshojë në këto raporte”, ka thënë Haliti për transmetuesin publik.

“Prandaj për ta bërë këtë duhet të jetë një kryeministër i zoti dhe trim që vendosë të përballet me të gjitha veprimet jo legale dhe jo ligjore. Duhet menjëherë të bëhen ligjet e duhura për ta filluar luftën kundër këtyre fenomeneve”, ka theksuar ai tutje.

Ai ka thënë se edhe Thaçi, e edhe Mustafa ishin deklaruar për zero korrupsion, dhe se me këtë ofertë kanë votat e partive politike.

“Shikoni edhe Thaçi edhe Mustafa të dytë janë deklaruar për zero korrupsion. Nëse janë deklaruar kështu atëherë e kanë mundësinë dhe shansin që të bëjnë ligje të përshtatme dhe t’i sjellin në Parlament e t’i miratojmë ato ligje. Më këtë ofertë elektorale kanë fitu vota partitë politike edhe këto që janë në opozita, prandaj unë nuk e shoh as nga opozita impenjimin apo angazhimin direkt për ta kufizuar mundësinë e korrupsionit përmes ligjit pos deklaratave boshe të cilat nuk e dërgojnë në përgjegjësi askënd”, ka theksuar ai.

Sipas Halitit, korrupsioni me tenderë dhe ‘allishverishet’ në mes të zyrtarëve, e siç i quan ai ‘tenderagjive’ mund të shihet madje edhe në lokale publike.

“Unë i shoh sa i përket OSHP-së e KRRP-së e këta tenderagjitë e ndryshëm dhe shefat e prokurimit. Çdo herë kur ka tendera këta i gjen në lokale të caktuara, fshehurazi duke biseduar, duke krijuar ato raportet në mes firmave të cilat konkurrojnë për tenderë të ndryshëm. Kjo e krijon vet atë sistem, është joshës përderisa nuk jep llogari para gjyqit askush dhe askush deri sot nuk është dënuar sa i përket korruosionit. Unë nuk shoh mundësi tjetër pos të bëjnë ligjet të cilat dënojnë maksimalisht ata që merren me korrupsion dhe ligjzbatuesit të japin llogari në rast të mosveprimit”, ka theksuar ai.