Xhaka: Serbët vranë gruan time dhe djalin e familjes Ajeti

Në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës ka vazhduar sot seanca kundër Oliver Ivanoviqit dhe 4 të akuzuarve të tjerë rreth ngjarjeve që kanë ndodhur natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të këtij qyteti.

Lajme

23/04/2015 13:22

Gjatë seancës së sotme, para trupit gjykues dëshmoi Gani Xhaka, i cili tha se natën e 3 shkurtit, nga ora 21:00 e deri në ora 3:00 të mëngjesit, është zhvilluar një luftë e vërtetë në banesën ku ka qenë i strehuar.

Epilogu i sulmit serb, të cilët kanë përdorur edhe granata dore, ka qenë vrasja e gruas së tij dhe djalit të familjes Ajeti, Nderimit, si dhe plagosja e më shumë të tjerëve.

“Kanë ardhur disa persona serbë dhe na kanë ofruar të dalim të gjallë, përndryshe do të na vrasin të gjithëve. Nuk kemi pranuar të dalim dhe e kemi mbyllur derën. Pas pak minutash është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm me ç’rast personat janë futur me forcë brenda dhe kanë filluar të shtënat me armë të ndryshme, duke përfshirë edhe granata dore. Natyrisht se edhe ne jemi përgjigjur me armë me qëllim që t’i zbrapsim. Epilogu i gjithë kësaj është se shoqja ime ka vdekur, si dhe djali i Nexhmedin Ajetit, Nderim Ajeti, ndërsa shumë anëtarë të tjerë kanë mbetur pa gjymtyrë”, tha Xhaka.

Gjatë dëshmisë së tij, ai u përlot duke rikujtuar ngjarjen tragjike të asaj nate. /KosovaPress/