Xhaka, intervista e parë si futbollist i Arsenalit

Granit Xhaka ka realizuar intervistën e parë pas transferimit në Arsenal.

Sport

25/05/2016 14:29

Arsenali edhe zyrtarisht e ka prezantuar përforcimin e ri, Granit Xhakën. Kurse, uebfaqja zyrtare e gjigantit anglez të mërkurën e ka zhvilluar edhe një intervistë, përmes së cilës i ka njoftuar tifozët e vet me yllin kosovar.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Kjo ishte një ëndërr e imja, por që tani është bërë realitet dhe me të vërtetë jam tepër i lumtur”, ishin fjalët e para të Xhakës në Londër, transmeton Zëri. Reprezentuesi i Zvicrës ndihet krenar që karrierën do ta vazhdojë në njërin prej klubeve më të mëdha në Evropë, e po ashtu në njërën prej ligave më të forta në botë, në Premierligë.

“Arsenali më pëlqen shumë. Premierliga po ashtu. Është një ligë ku zhvillohet futboll i fortë, agresiv. Në anën tjetër më pëlqen shumë filozofia dhe loja e Arsenalit. Këtu nuk është si në vendet tjera, por është shumë më bukur”, ka theksuar Xhaka.

23 vjeçari ua ka bërë me dije tifozëve londinezë se simpatia e kahershme që kishte për Arsenalin është arsyeja kryesore që e ka shty të shkojë në “Emirates Stadium”. “Arsenalin e kam shikuar në çdo fundjavë dhe e di se është një klub shumë i madh. Këtë kampionat e mbylli në vendin e dytë dhe kjo është një sukses i madh.

I pyetur nëse Arsenali mund ta fitojë titullin e kampionit në sezonin e ardhshëm, Xhaka është përgjigjur: “Shpresoj”.

Xhaka e ka komentuar edhe deklaratën e Ottmar Hitzfeld, i cili e kishte krahasuar me Bastian Schweinsteiger. “Ky është kompliment i madh për mua, nga një trajner dhe njeri i madh. Nuk e di a jam Schweinsteigeri i ri. Unë jam Granit Xhaka.