Xhaka ia hap dyert Interit

Granit Xhaka ia ka hapur dyert një transferimi të mundshëm në Inter. Menaxheri i futbollistit ka thënë se Nerazzurri do të ishin një destinacion i rëndësishëm, por që së pari duhet që klubet të merren vesh në mes vete.

Sport

20/05/2014 11:56

Granit Xhaka do ta pëlqente një transferim të mundshëm në Inter gjatë kësaj vere. Për këtë ka siguruar menaxheri dhe babai i futbollistit, Ragip Xhaka.

“Inter? Është kënaqësi kur dëgjojmë zëra për interesimin e një klubi të madh si ai Nerazzurr. Do të ishte një destinacion i rëndësishëm”, deklaroi fillimisht Xhaka senior.

“Mirëpo, së pari duhet të flasim me klubin, sepse ai ka kontratë për tri vjet të tjera me Borussian”, vazhdoi ai.

“E rëndësishme është që të gjendet një zgjidhje për të mirën e lojtarit, qoftë duke qëndruar në Monchengladbach, apo duke u transferuar në Itali apo Angli”, përfundoi babai i futbollistit.

Xhaka ishte transferuar në ekipin nga Bundesliga dy vjet më parë, por nuk arriti të ambientohet si duhet dhe mbeti shpesh në bankinën e trajnerit Lucien Favre.

Sipas mediave italiane, Gladbachu i kërkon 15 milionë euro, për ta lruar Xhakën të largohet.