Xhaferi: Marrëveshja për emrin e Maqedonisë është në interes të shqiptarëve

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, e ka mirëpritur marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.

Lajme

18/06/2018 18:45

Xhaferi në Info Magazine ka thënë se kjo marrëveshje nuk është vetëm në interesin e  shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, por edhe në kontekst më të gjerë pasi po çelen dyert për anëtarësimin e Maqedonisë në organizata ndërkombëtare.

”Zgjidhja e këtij problemi është në interes të shqiptarëve të Maqedonisë. Zgjidhja është e duhur”, tha ai.

”Nuk mund të shihen benefitet vetëm në kontekstin e shqiptarëve por ato mund të shihen për të gjithë qytetarët e Maqedonisë sepse kjo marrëveshje hapë rrugë në anëtarësimin e Organizatave Ndërkombëtare”, shtoi Xhaferi.

”Në kontekst europianë është benefit për gjithë qytetarët e Maqedonisë por jo i vetëm shqiptarëve”, u shpreh kryeparlamentari i Maqedonisë.

Xhaferi shtoi se e gjithë skena politike është angazhuar për arritjen e marrëveshjes.

”Nuk komentoj qasjen e mysafirëve që keni aty sepse nuk kam dëgjuar çfarë është thënë aty. Por nuk mendoj që politika shqiptare ka qenë pasive në këtë çështje. Të gjithë janë angazhuar për interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, tha Xhaferi.

Xhaferi bëri të ditur se deri të premten mund të përmbyllet procedura e ratifikimit.

”Nuk dua të predikoj për procedura. Besoj që deri të premten mund të përmbyllet faza e ratifikimit e pas saj mund të lajmërohen autoritetet greke. I gjithë procesi duhet të përcillet e të bisedohet me qytetarët që të mund të përfundohet marrëveshja sic është më së miri”, u shpreh ai.

”Në kontekst global duhet të veprojmë të gjithë në kahje të asaj se cili është interes i yni ndaj secilit”, përfundoi Xhaferi.