Xhafaj: Nuk tolerojmë dhunën më 13 maj. Policia garanton 18 qershorin

Fatmir Xhafaj tha se Policia e Shtetit nuk do të tolerojë dhunën në protestën e 13 majit të opozitës.

Lajme

08/05/2017 23:36

Në Top Story, ai deklaroi se do të respektohet e drejta për të protestuar paqësisht, por shtoi se në rast dhune, Policia do të reagoi fort.

“Po e ndjekim me vëmendje protestën e 13 majit, ashtu si edhe deklaratat e drejtuesve të PD, të një pjese të vogël që janë shqetësuese dhe që nxisin dhunën dhe përplasjen, destabilizim. Nga ana tjetër kemi dëgjuar deklarimin e zotit Basha që protesta do të jetë paqësore. Uroj që të jetë e titllë. Nëse do të ketë akte dhune policia do të reagojë ashpër. Policia do të ndërhyjë fort nëse protesta e thërritur si paqësore do të përdoret për të destabilizuar vendin”, tha ai.

Lidhur me zgjedhjet e 18 qershorit, Xhafaj tha se Policia e Shtetit ka kapacitetet për t’i garantuar ato.

“Nuk ka asnjë skenar që nuk përballohet nga Policia e Shtetit. Policia ka gjithë kapacitetet e nevojshme, gjithë përgjegjësitë që të garantojë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në Shqipëri”, u shpreh ai.