Xavi në top formë

Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique ka lavdëruar mesfushorin Xavi dhe mendon se ylli spanjoll ka dëshmuar se ngadalë është duke u rikthyer në formën e duhur fizike dhe nuk i mungon motivimi.

Sport

03/08/2014 10:33

Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique beson se Xavi ka treguar se është rikthyer në kulmin e formës me paraqitjen e tij në barazimin 1:1 në miqësoren kundër Nices të shtunën.

Mesfushori spanjoll ishte në qendër të kritikave në edicionin e kaluar derisa gjiganti katalan e përfundoi sezonin pa ndonjë titull të rëndësishëm para se skuadra e Vicente del Bosques të eliminohet nga Kampionati botëror në fazën e grupeve.

Por, 34-vjeçari u inkuadrua nga bankina në Allianz Riveira dhe shënoi nga penalltia në barazimin e Barcelonës me Nicen. Enrique ishte i kënaqur me kontributin e veteranit.

“Ai ka dëshmuar se është rikthyer në nivelin e duhur të formës fizike dhe motivimit”, deklaroi Enrique pas ndeshjes për “El Mundo Deportivo”.

Xavi ishte shumë pranë largimit nga Barcelona gjatë këtij afati kalimtar të verës në drejtim të Katarit, por në fund vendosi të qëndrojë në Camp Nou.