“Wizz Air” i interesuar për fluturime nga Aeroporti i Kukësit

Aeroporti i Kukësit po tërheq gjithnjë e më shumë investitorë dhe operatorë ekonomikë, pas ndryshimit të ligjit që i heq ekskluzivitetin e fluturimeve në Shqipëri kompanisë që administron aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Lajme

21/05/2015 21:51

Drejtori i zhvillimit i kompanisë ajrore hungareze “Wizz Air”, i shoqëruar nga përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, ka zhvilluar sot një vizitë inspektuese në Aeroportin e Kukësit, për të parë nga afër gjendjen e këtij aeroporti.

Kompania në fjalë po shqyrton mundësinë e fluturimeve drejt destinacioneve evropiane nga ky aeroport.

Përfaqësuesit e “Wizz Air” u shprehën pozitivisht për gjendjen aktuale të Aeroportit të Kukësit dhe treguan gatishmëri për bashkëpunim me autoritetet shqiptare për fillimin e operimit nga ky aeroport, kur të drejtat ekskluzive mbi fluturimet ndërkombëtare të TIA të jenë hequr.

Kompania ajrore hungareze “Wizz Air” është kompania më e madhe e transportit ajror që operon aktualisht në Maqedoni.

Aeroporti i Kukësit përfundoi së ndërtuari në vitin 2006, por asnjëherë nuk u vu në punë, për shkak të ekskluzivitetit mbi fluturimet ndërkombëtare, që gëzon operatori i aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, për periudhën 20-vjeçare 2005-2025.

Dy javë më parë, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, deklaroi nga Kukësi se negociatat me koncensionarin TIA janë drejt përfundimit, ç’ka do të lejojë vënien në funksion të Aeroportit të Kukësit, që pritet të ketë një ndikim direkt në ekonominë e qytetit të Kukësit dhe në punësimin e mbi 200 personave nga kjo zonë./TCH/