Windows 10 më i shpejtë se çdo sistem tjetër operativ

Sipas një testi të ri, Windows 10 doli të punonte më shpejtë se sistemi OS X 10.10 Yosemite në MacBook-un e ri të Apple.

Auto & Tek

18/05/2015 18:07

Alex King, një shkencëtar kompjuterik dhe student në Universitetin Tufs, kaloi një muaj duke e provuar MacBook-un e ri 12-inç dhe dha disa detaje të padëgjuara deri më tani për versionin beta të Windows 10.

Ai e instaloi Windows 10 në MacBook-un e tij duke përdorur një program të quajtur ‘Boot Camp’. Pasi e përfundoi instalimin në të ai u mahnit menjëherë nga sistemi i ri operativ i Microsoft, transmeton Lajmi.net.

Ai në blogun e tij shkroi kështu:
“Është më i shpejtë. Ka një performancë më të mirë se OS X, duke i bërë me dije kështu Apple që duhet të bëjë disa ndryshime në atë se si duhet të krijohen animacionet. Edhe kur e ndaloj funksionin e transparencës në OS X, shpejtësia nuk është aq e mirë. Por me Windows 10, edhe pasi funksioni i transparencës Aero Glass ishte i lëshuar, çdo gjë ishte edhe më e shpejtë. Është e mahnitshme, ky besoj se do të jetë Windows-i më i shpejtë ndonjëherë.”

King lavdëroi gjithashtu edhe Microsoft Edge, shfletuesin më të ri të Windows 10, i cili sipas tij ishte në gjendje që t’i hapë tepër shpejtë faqet edhe kur kishte faqe të tjera të hapura njëkohësisht.