Williamson kërkoi nga institucionet kosovare mbështetje politike

Kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hetuese, Clint Williamson ka qëndruar sot në Kosovë ku është takuar me Presidenten e vendit, ministrin e Drejtësisë dhe atë të Punëve të Brendshme e të FSK-së.

Lajme

21/07/2014 21:10

Sipas këshilltarit të ministrit Hajredin Kuçi, Driton Lajçi, kjo vizitë e Williamsonit ka qenë vizitë e rregullt pune dhe nuk ka paraqitur kërkesa të veçanta.

“Është takim i rregullt, takim rutinor, takim partnerësh, nuk ka kërkesa të veçanta, siç po pretendohet në opinionin publik, dhe sërish rikonfirmuar gatishmëria e institucioneve të Kosovës megjithë dëmet e mëdha që i ka shkaktuar raporti i Dick Martyt dhe miratimi i këtij raporti në të gjitha këto faza, dëmtimi që i ka shkaktuar imazhit të Kosovës, dëmtimit të imazhit të lidershipit të Kosovës. Mirëpo, ne besojmë fuqishëm, bazuar në deklaratat e lidershipit të Kosovës, ndaj të cilëve direkt apo indirekt u janë drejtuar shigjetat, se më në fund drejtësia do të zbardhet dhe Kosova edhe kësaj radhe do të fitojë një betejë në drejtësinë ndërkombëtare”, ka thënë ai në një bisedë në RTK.

Lajçi ka thënë se Williamson pritet që të publikojë një raport javën e ardshme, por e cila nuk pritet të tregojë specifika të hetimeve. Ai shton se Gjykata Speciale, e cila do të krijohet, duhet të ketë bashkëpunim edhe me prokurorët vendorë.

“Williamson e ka selinë  e vet në Bruksel, i ka 25 persona, ata janë prej 15 shteteve të ndryshme, ajo çka është kërkuar nga institucionet e Kosovës është mbështetja politike, të cilën e kanë dhënë institucionet me votimin në legjislaturën e kaluar, dhe gatishmëria që të përkrahet dhe kjo është ajo çka kërkohet nga politika. Ndërsa, në aspektin e hetimeve, bashkëpunimi duhet të zhvillohet me prokurorët e të gjitha niveleve, në radhë të parë me prokurorët e EULEX-it dhe pastaj me ata vendorë dhe me prokurorët e rajonit”.

“Raporti në këtë fazë, sepse është i ndaluar me mandatin e tij, nuk flet për përparimin e hetimeve apo për emra të veçantë, sepse në këtë fazë nuk flitet. Faza tjetër është kur të themelohet Gjykata Speciale”.

“Por në këtë fazë, mund të presim që pas një jave ky të thotë se ka hapa kualitativë të hetimeve dhe të vazhdohet më tutje”.

Duke folur për themelimin e Gjykatës Speciale, Lajçi ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë pritur që kjo punë të “zvaritet”.

“Mendoj se nuk është pritur që të ketë zvarritje, prandaj edhe kërkohet që të themelohet sa më shpejt sepse, siç e dini, këto gjëra kanë shpenzime, ka personel, pastaj është sigurimi i dëshmitarëve”, ka thënë Lajçi për RTK.