Wenger feston dhe mbetet në Arsenal

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger lavdëron ekipin e tij pas triumfit në FA Cup dhe tregon se do të vazhdojë të punojë në Emirates Stadium.

Sport

17/05/2014 23:13

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger është zotuar se do të qëndrojë në klub pasi udhëhoqi skuadrën e tij drejt titullit të parë pas nëntë vjetësh, duke mposhtur Hull Cityn në finalen e FA Cup, pas vazhdimeve, me rezultat 3:2.

Wenger kishte insistuar se rezultati i finales në Wembley nuk do të ketë ndikim në vendimin e tij për të mbetur në klub, por konfirmoi pas fitores se do të vazhdojë detyrën në Emirates.

“Gjithmonë kam thënë se e ardhmja ime nuk varet nga kjo, por gjithmonë kam dashur të qëndroj”, deklaroi Wenger, i cili i pyetur nëse do të mbetej edhe para finales, u shpreh: “Po”.

“Ne deshëm të krijojmë histori sonte dhe fituam në dy mënyra, pas një fillimi të ngadalshëm, duke u rikthyer dhe rrëmbyer trofeun. Do të kishte qenë e tmerrshme nëse do të humbnim, por ne u rikthyem. E uroj Hullin sepse luajtën në mënyrë të përkryer për gjithë ndeshjen”, u shpreh Wenger.