Wenger e ‘vajton’ titullin e humbur

Arsene Wenger insiston se lëndimet e shpeshta të lojtarëve bënë që Arsenali të mbetet pa titull kampioni në Premierligë. Tash, trajneri francez kërkon që Topçinjtë ta mbyllin sezonin në pozitën e katërt, e cila dërgon në Ligën e Kampionëve.

Sport

29/04/2014 01:19

Arsene Wenger e ka ‘vajtuar’ titullin e humbur nga Arsenali. Topçinjtë ishin në krye të tabelës në Premierligë për një kohë të gjatë, por patën rënie të madhe dhe në fund rrezikuan të mbeteshin pa pozitën e katërt, e cila çon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Trajneri francez thotë se lëndimet e shumta i kushtuan me titull ekipit nga Emirates Stadium.

“Ne do të donim që sezoni të zgjaste më shumë. Ishim në krye të tabelës, por i humbëm disa lojtarë në pjesën kyçe të sezonit”, deklaroi Wenger për BBC Sport, pas fitores 3:0 ndaj Newcastles, e cila thuajse ia siguroi ekipit të tij një vend në Top 4.

“Ne jemi katër pikë përpara Evertonit dhe duam ta marrim maksimumin e pikëve nga tash deri në fund të sezonit”, përfundoi Wenger.

Arsenalit i mjafton vetëm një fitore në dy ndeshjet e fundit, për ta siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.