VV voton kundër EULEX-it, AAK e Nisma bojkotojnë seancën

Lëvizja Vetëvendosje do të votojë kundër vazhdimit të mandatit të EULEX-it. AAK dhe Nisma vazhdojnë bojkotimin e institucionit më të lartë legjislativ në vend.

Lajme

13/06/2016 19:37

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin, përmes së cilit i vazhdohet edhe për dy vjet mandati i misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX).

Ky projektligj pritet t’i dërgohet Kuvendit të martën. Për të kaluar ky projektligj duhen 2/3 e votave të deputetëve.

Partitë opozitare nuk do ta miratojnë atë. Lëvizja Vetëvendosje do të votojë kundër, ndërkaq, AAK dhe Nisma nuk do të marrim pjesë në seancë.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi tha për lajmi.net, se deputetët e VV-së do të marrin pjesë në seancën e nesërme por do të votojnë kundër vazhdimit të mandatit të EULEX-it.

“Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje do të marrim pjesë në seancë por do të votojnë kundër vazhdimit të misionit të EULEX-it”, tha Krasniqi, duke thënë se subjekti i tij politik ditë më parë ka treguar arsyet e mosvotimit për vazhdimin e mandatit të misionit evropian për sundim të ligjit.

Në Vetëvendosje besojnë se misioni i EULEX-it ka dështuar të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të forcojë sistemin vendor të drejtësisë.

“EULEX-it nuk duhet t’i zgjatet jeta sepse prania e tij nuk mund të jetë e dobishme në asnjë rrethanë”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të marr pjesë në seancë. Partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj do të vazhdojë bojkotin e punimeve plenare.

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, në një prononcim për lajmi.net tha se partia e tij nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për konsultat për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

Ai tha se vazhdimi i misionit të EULEX-it është një “lajm i keq”. Përkundër kësaj, ai shtoi se deputetët e AAK-së nuk do të jenë të pranishëm në seancë për të votuar as pro as kundër.

“E para, vazhdimi i misionit të EULEX-it është një e keqe e cila nuk mund të kapërcehet, sepse Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës e kanë krijuar një situatë shumë të pafavorshme në sistemin e drejtësisë në vend dhe është e paimagjinueshme që të mos i vazhdohet mandati misionit të EULEX-it”.

“Në fakt, AAK për hir të informimit të drejt të opinionit, nuk ka qenë në dijeni të konsultave për vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it. Ne jemi në një pozicion që jemi duke i bojkotuar seancat e Kuvendit të Kosovës. Në këtë kuadër do të bojkotojmë edhe seancën e nesërme. Prandaj, nuk do të jemi as pjesë e votimit të këtij misionit”, tha Nitaj.

Edhe sekretari i përgjithshëm i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi tha për lajmi.net, se do të vazhdojnë bojkotin e institucioneve.

“Nisma për Kosovë vazhdon bojkotin. Ne nuk do të marrim pjesë në këto seanca të zakonshme as të jashtëzakonshme. Ju e dini që Nisma është në bojkot të parlamentit dhe vazhdon të kërkoj dorëheqjen e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Sherifi për lajmi.net.

Qeveria e Kosovës sot po ashtu ka miratuar edhe kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi drejtuar shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini për vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it./lajmi.net