VV: Vendimi që seanca të mbahet natën, tensionon më tej situatën

Shtyerja e seancës për në orën 20:00 për Lëvizjen Vetëvendosje do të tensionojë më shumë situatën.

Lajme

23/10/2015 19:12

Përmes një komunikate për media, Vetëvendosje vlerëson se mbajtja e seancës natën “është koha e preferuar” për aktivitete kundër ligjit, raporton lajmi.net.

“Kadri Veseli nuk e mbajti fjalën për 1 orë pauzë. Ai e shtyu pauzën deri në orën 20:00. Zhvillimi i seancës natën, nën rrethim policor të Kuvendit dhe nën masa të rrepta sigurie brenda Kuvendit, duke ndërruar sallën – me rrezikun që të mos i lejojë mediet brenda, do të shpie në tensionim të mëtutjeshëm të situatës”.

“Jo rastësisht Kadri Veseli zgjodhi natën për të vazhduar seancën. Ai po do që të tentojë vazhdimin e seancës natën, ngase nata ka qenë përherë koha e preferuar e tij, për të zhvilluar aktivitete kundërshtetërore”.

“Opozita bën thirrje edhe njëherë që të mos vazhdohen seancat e Kuvendit pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi. Ne do ta mbrojmë Republikën dhe nuk pranojmë asnjë kompromis në këtë kauzë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes./lajmi.net