VV thotë se Policia po i kërkon aktivistët e tyre për t’i arrestuar

Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet një njoftimi në Facebook, thotë se Policia e Kosovës ka filluar t’i kërkojë për t’i arrestuar disa aktivistë të këtij subjekti.

Lajme

20/10/2015 16:44

Sipas tyre policia ka kontaktuar përmes telefonit aktivistët Egzon Balaj dhe Ardian Huli, duke kërkuar që të paraqiten në polici ose përndryshe, siç thonë ata, do të arrestohen kudo që takohen nga policia.

“Dje aktivistët u torturuan në stacionet policore, ndërsa sot policia po kërkon që aktivistët të shkojnë në polici. Përndjekja e opozitarëve është sjellje tipike e pushteteve me tendenca autoritare. Këto pushtete bëhen të dhunshme dhe policore veçanërisht kur ndeshen me opozitarizëm të fortë e të vendosur”, thuhet në njoftimin e VV-së, raporton lajmi.net,

Vetëvendosje, thotë se Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, që kanë filluar ta ndjejnë fundin e tyre, po përpiqen që të vazhdojnë qeverisjen përmes taktikave policore.

Mirëpo taktikat policore, sipas VV-së, do ta rrisin pakënaqësinë dhe do ta mobilizojnë edhe më shumë opozitën në kauzën e saj për të parandaluar “Zajednicën” dhe demarkacionin me Malin e Zi./lajmi.net