VV: Thaçi nuk lajmëroi për takimin me Vuçiqin për të evituar protestat qytetare

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca komentoi takimin e paralajmëruar Thaçi- Vuçiq.

Lajme

08/11/2018 14:30

Ai në një konferencë për media tha se është e papranueshme që takimi po bëhet me vetëm 24 orë paralajmërim.

“Takimi shumë i shpejtë brenda një periudhe shumë të shkurtër mes presidentit Thaqi-Vuçiq. Kjo është një praktik e re dhe nuk është e rastësishme sepse këta tani do të aplikojnë në strategji të lajmrojnë disa orë që të mos ketë debat parlamentar dhe të mos ketë organizim qytetarë siç ishte protesta e VV-së”, tha Konjufca.

Ai shtoi se marrëveshja finale në dialogun Kosovë-Serbi është afër dhe sipas tyre do të jetë e dëmshme për Kosovën.

“Tani kemi hyrë në një fazë të re ku duket se marrëveshja është fare pran, ku po shihet që do të jetë në dëm të Kosovës, për të mos prodhuar reagime kanë lajmëruar 24 orë para. Presidenti ynë po shkon pa mandat në takim me Vuçiqin, kjo është shqetësuese por më shqetësuese është gatishmëria e presidentit Thaçi për arritje të marrëveshjes. Lugina e Preshevës është një mashtrim për ta arsyetuar shkuarjen në bisedime”, tha Konjufca.

Sipas Konjufcës, presidenti Hashim Thaçi po planifikon të japë territorin e vendit në këmbim të njohjes së Pavarësisë së Kosovës. /kallxo