VV: Rrustemi sulmohet për denoncim të keqqeverisjes

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar së dje në Lipjan është sulmuar anëtari i saj, Adnan Rrustemi. Sipas tyre, Rrustemi është sulmuar nga dy vëllezërit e Kryetarit të NISMA-s në Lipjan, Fitim Selimi.

Lajme

06/05/2014 17:01

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar së dje në Lipjan është sulmuar anëtari i saj, Adnan Rrustemi.

Në një konferencë për media, Sekretari Organizativ i kësaj Lëvizje, Dardan Molliqaj, tha se përfaqësuesesi i kësaj partie në KQZ, Adnan Rrustemi është sulmuar nga dy vëllezërit e Kryetarit të NISMA-s në Lipjan, Fitim Selimi, që njëherit është edhe nënkryetar i Komunës së Lipjanit.

Rrustemi është sulmuar fizikisht nga vëllezërit e këtij përfaqësuesi të NISMA-s, gjatë kohës kur po qëndronte brenda një lokali në Lipjan.

Molliqaj bëri të ditur se sulmi ka ardhur pas denoncimit nga ana e Vetëvendosjes për keqqeverisje në Komunën e Lipjanit.

“Ky sulm është i motivuar politikisht pasi që ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë një vlerësim të punës 100 ditore të Kuvendit Komunal në Lipjan, ku kishte denoncuar në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të hapur lidhjen e nepotizmit të rastit të Fitim Selimit dhe vëllezërve të tij, në disa emërime nëpër disa shkolla fillore të drejtorëve dhe disa denoncime me radhë të keqqeverisjes”, tha Molliqaj.

Sipas Molliqajt të njëjtit persona ditë më parë kishin kërcënuar edhe udhëheqësin e degës së Vetëvendosjes në Lipjan.

Vetëvendosje u ka bërë thirrje organeve të rendit që kryesit e kësaj vepre të vihen para drejtësisë.

Po ashtu ka kërkuar distancimin nga ky rast edhe të pushtetit të LDK-së, në Lipjan dhe udhëheqësit të NISMA-s.

Vetëvendosje ka bërë të ditur se aktet e tilla nuk do ti zbrazin ata për denoncimin e keqqeverisjes në gjithë vendin.