VV: Qeveria po favorizon bizneset serbe, Serbia buxhetin e dedikon kundër Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka shprehur shqetësim për numrin e madh të kompanive serbe në panairin e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).

Lajme

18/04/2018 13:56

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se Qeveria po favorizon bizneset serbe, ndërsa Serbia buxhetin e dedikon kundër Kosovës.

Ai shtoi se sipas vlerësimit të ekspertëve Kosova importon gjysmë miliardi euro nga Serbia.

“Ajo për çka ne jemi të shqetësuar ka të bëjë me favorizimin e produkteve të Serbisë. 70 kompani janë nga Serbia dhe vetëm një nga Shqipëria. Kjo tregon se institucionet tona e kanë shndërruar Kosovën në një koloni tregtare të Serbisë, mallrat e Serbisë e kanë vërshuar Kosovën. Sipas vlerësimit të ekspertëve Kosova importon gjysmë miliardi euro nga Serbia. Që 19 vite vetëm 45 ditë janë bojkotuar produktet e Serbisë”.

Sipas tij, po të kishte qenë LVV në qeverisje kjo gjë nuk do të kishte ndodhur, raporton Ekonomia Online.

“Serbia nuk e njeh Kosovën e saboton në arenën ndërkombëtare. Të favorizosh bizneset e Serbisë i cili paguan tatimet në Serbi e që atë buxhet e dedikon kundër Kosovës i bien që Qeveria po bënë punë kundër Kosovës. Kur shtetet nuk kanë relacione normale politike nuk mund të kenë tregti të lirë. Tek ne tregtia me Serbinë ekziston sikur ne të ishim miqtë më të mirë në botë. Por të kishte qenë LVV në qeverisje kjo gjë nuk do të kishte ndodhur”, tha ai.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku tha se Republika e Serbisë nuk e humb asnjë rast për ta minuar procesin e Kosovës.

Sipas saj, Kosova ka shumë punë paraprake me Serbinë, e më pas duhet të vendosim raportet miqësore si me shtetet tjera.

“Tash po afrohet edhe dita e të pagjeturve dhe ne kemi një numër të madh të tyre. Nëse flasim për fondin pernsional ju e dini qe një numër i madh i kontributdhënësve nuk e gëzojnë ato që meritojnë. E kemi reagimin e ambasadorit të Shqipërisë e cila thotë së nuk janë lajmëruar me kohë bizneset e Shqipërisë. Ne ku dështojmë një qasje të tillë, ne duhet të sillemi si sillen ata me ne. Ne kemi shumë punë paraprake me Serbinë që të vendosim pastaj raporte miqësore si me shtetet tjerë”.