VV: Policia arrestoi dy aktivistë të Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se janë arrestuar nga Policia e Kosovës dy aktivistët e saj, Arianit Beqiri dhe Gerolld Nikoliqi.

Lajme

30/03/2017 16:36

Sipas njoftimit nga kjo lëvizje dy aktivistët janë arrestuar gjatë seancës gjyqësore ndaj 4 aktivistëve tjerë, të cilët dyshohen për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Të arrestuarit sipas njoftimit janë arrestuar për shkak se po merrnin pamje gjatë seancës gjyqësore.

Njoftimi i plotë i VV-së:

Policia e Kosovës ka arrestuar dy aktivistë gjatë seancës gjyqësore ndaj katër aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që po privohen tash e shtatë muaj nga liria. Aktivistët Arianit Beqiri dhe Gerolld Nikoliqi, pjesë e ekipit tonë të mediave, janë arrestuar për shkak se po merrnin pamje nga seanca gjyqësore, e cila ishte e hapur për mediat.

Një veprim i tillë, i papranueshëm, është tregues i qartë i bashkëpunimit mes policisë dhe drejtësisë së kapur, me synimin që ta largojnë vëmendjen e publikut sa më shumë nga kjo padrejtësi ndaj Adeas, Atdheut, Egzonit e Frashërit. Pafajësia e tyre është e vërteta rreth këtij rasti, e cila do të merret vesh sado që ky rast të zgjatet dhe përkundër jotransparencës së organeve të drejtësisë.

Kërkojmë lirimin e mënjehershëm të aktivistëve Arianit Beqiri dhe Gerolld Nikoliqi, sikurse thërrasim që të heqet dorë nga ky rast i montuar ndaj katër aktivistëve. Përndjekjet ndaj gjithë aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! duhet të marrin fund. Ato nuk e ndalin në asnjë mënyrë angazhimin tonë për shtet të së drejtës dhe shoqëri të barabartë./ Lajmi.net/