VV nuk do të votojë shpërbërjen e Kuvendit

Vetëvendosje vlerëson se me shpërbërje të Kuvendit, do të amnestohej mospuna e Qeverisë. 

Lajme

06/05/2014 15:36

Vetëvendosje nuk do të votojë e shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme Parlamentare në fillim të qershorit.

Sekretari Organizativ VV-së, Dardan Molliqaj, në një konferencë të këtij subjekti politik, tha se me anë të votës për shpërbërjen e Kuvendit, faji për mosfunksionalitet po i bije legjislativit dhe jo Qeverisë.

“Rruga e duhur për të shkuar në zgjedhje të parakohshme është rruga për mes mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Thaçi, për shkak se shpërbërja e Kuvendit adreson se problemi qenka të Kuvendi, e jo te Qeveria”.

“Marrëveshja Thaçi- Mustafa e bërë muaj më parë për shkuarje në zgjedhje për mes shpërbërjes se Kuvendit, për neve është totalisht e pa pranueshme sepse mendojmë se përgjegjësin për krejt atë ç’farë ka ndodh në këtë mandate e ka Qeveria e Kosovës”.

Molliqaj ka akuzuar Presidenten Atifete Jahjaga, e cila, sipas tij, ka shkelur rregullat institucionale, duke e mos e ftuar VV-në në takimin që e ka mbajtur sot me liderët e disa partive parlamentare.

“Presidentja si përfaqësuese e shtetit të Kosovës, ishte dashur me pas respekt për institucionet e Kosovës. Nuk e fton Vetëvendosjen edhe pse në takime tjera siç ka qenë rasti për takimin e Këshillit të Integrimeve Evropiane, ne kemi qenë të ftuar ndërsa sot kur është diskutuar çështja e shpërbërjes së Kuvendit, datës së zgjedhjeve dhe ulëset e rezervuara, ne nuk jemi ftuar. Me këtë, Jahjaga po i shkelë rregullat të cilat ja përcakton kushtetuta dhe ligji për Presidenten”.