VV: Mustafa emëroi ministër drejtuesin e strukturave ilegale

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas emërimit të Ivan Todosijeviqit për ministër të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Lajme

21/04/2017 00:16

VV thekson se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pa vullnet e pafuqi për t’i luftuar strukturat ilegale, emëroi sot drejtuesin e këtyre strukturave, Ivan Todosijeviqin, për ministër të MAPL-së.

“Drejtimi i institucioneve nga strukturat ilegale është luftë ndaj shtetësisë dhe funksionimit të Republikës. Ndërkaq, emërimi i tyre prej vetë Kryeministrit është i pajustifikueshëm dhe i pafalshëm”, thekson Vetëvendosje në një komunikatë.

“Kjo Qeveri, sikur edhe të kaluarat, të vetmen gjë që ka bërë me strukturat ilegale është amnistimi e tash edhe rehabilitimi i tyre. Kjo Qeveri e paralizuar nuk bën punë të tjera pos atyre që ia cakton Beogradi”, thuhet në komunikatë, e cila vijon se Mustafa në vend se të jetë udhëheqës, po bëhet ekzekutues i punëve të strukturave ilegale që nuk e njohin dhe e luftojnë shtetin e Kosovës.