VV kritikon Qeverinë për mungesë programi të qartë në zhvillim ekonomik

Roli aktiv i shtetit në zhvillimin ekonomik mungon. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Qeveria nuk ka një program qeverisës të qartë ekonomik dhe e tëra që ju është ofruar qytetarëve të Kosovës janë vetëm fjalime të mbajtura deri më tani nga kabineti qeveritar dhe asgjë përmbajtjesore.

Lajme

23/03/2015 17:08

Këto vlerësime i bëri Vetëvendosje gjatë një konference për media në të cilën udhëheqësit e saj kritikuan programin qeverisës si të mangët dhe me fokusim të vetëm në infrastrukturë, duke lënë anash sektorët tjerë.

Visar Ymeri, kryetar, tha se në program qeverisës shihet qartë se mungon një mënyrë që ta rrisim ekonominë e Kosovës.

“Ne si Kosovë duhet ta trajtojmë në mënyrë shkencore jo vetëm dëshirat politike, por në mënyrë shkencore se cilat janë potencialet ekonomike të Kosovës në nivel sektorësh, edhe pastaj për brenda sektorësh. Ta zëmë që në nivel shkencor duhet të jetë bujqësia, mund të ketë përparësi krahasuese disa prej kulturave bujqësore por domosdoshmërish minierat, energjia si infrastrukturë dhe pastaj edhe industria e përpunimit të metalit pra përpunimit të resurseve të cilat i nxjerrim në minierat e Kosovës si një projekt industrializimi”, tha lideri i VV-së.

Sipas tij, programi qeverisës është në shpërputhje të plotë me një buxhet të miratuar nga qeveria si dhe nga projektimet e parapara në atë buxhet për vitin 2016 dhe 2017.

Ndërsa, Naim Hoxha, nga Komiteti për Energjetikë, tha se në planin qeverisës sërish thuhet se qytetarët e Kosovës do të kenë energji të mjaftueshme për nevojat e tyre, ndërsa në praktikë po dëshmohet e kundërta.

Ai me këtë rast ka kritikuar çmimet e larta të energjisë elektrike për çka ka thënë se qeveria e Kosovës nuk ka asnjë mundësi që të ndërhyjë në KEDS që tashmë është kompani private.

“Çmimet e energjisë të jenë të papërballueshme për qytetarët dhe bizneset, çfarë ndikimi ka Qeveria në KEDS për përcaktimin e çmimeve, çmimet po hypin çdo ditë dhe Qeveria nuk ka kurrfarë mundësie që t’i ndërrojë”, ka thënë Hoxha.

Sipas Hoxhës, Kosova sot nuk e ka rritjen ekonomike aq problem sa e ka problem papunësinë. Natyrisht, njëra dhe tjetra janë të ndërlidhura, por papunësia dhe skamja janë problemet kryesore.