VV: Kosto e lartë e autostradave në shpërputhje me gjendjen ekonomike

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një aksion sot në punishten e autostradës Prishtinë-Han i Elezit, duke protestuar për koston e lartë të ndërtimit të saj.

Lajme

16/05/2015 13:39

Aktivistë të kësaj lëvizje kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës se po ndërton një autostradë me çmim të lartë, në kohën kur gjendja ekonomike në vend është e rëndë.

Aktivisti Kreshnik Ahmeti, në prononcimin e tij gjatë këtij aksioni, tha se me paratë e shpenzuara për ndërtimin e akseve të autostradës “Ibrahim Rugova”, dhe kësaj të tashmes për Han të Elezit (Arbër Xhaferi), Kosova ka humbur mundësinë që të investojë në zhvillim ekonomik.

Aksioni i VV-së te punimet e autostradës

“600 milionë eurot e këtij projekti dhe rreth 1 miliard eurot e harxhuara në projektin e kaluar, Kosova do të kishte mundur t’i investonte në industri e bujqësi, ta shtonte prodhimin dhe eksportin, e ta ulte papunësinë e varësinë nga importi. E pastaj, me një ekonomi prodhuese e popull të punësuar, projektet e infrastrukturës rrugore do të bëheshin domosdoshmëri, do të realizoheshin financiarisht më lehtë dhe do të ishin fitimprurëse për të gjithë, e jo vetëm për zyrtarët e konsocriumit Qeveri – Bechtel Enka”, ka thënë Ahmeti.