VV-ja denoncon Veliun se anuloi konkursin për dy punëtorë, synonte vendosjen e njerëzve të afërm

Lëvizja Vetëvendosje ka shfaqur një shqetësim sa i përket një konkursi të hapur në komunën e Podujevës, konkretisht në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Sipas tyre, anulimi i konkursit është bërë pasi aplikantët e preferuar të kryetarit, Agim Veliu, nuk i kanë plotësuar kriteret.

Lajme

26/05/2018 12:21

“Lëvizja posedon emrat e personave të preferuar, mirëpo për shkak të ruajtjes së privatësisë tani për tani nuk do të publikohen”, thuhet në njoftimin e VV-së.

“Komuna e Podujevës më saktësisht Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenës Sociale, me datën 17.04.2018 ka hapur konkurs për plotësimin e dy pozitave te lira në Qendrën për Pune Sociale, përderisa me datën 24.05.2018 të njëjtin konkurs e anulon me dy arsyetime të cilat janë në kundërthënie njëra me tjetrën. Njëra për arsye objektive, kurse tjetra për disa gabime apo lëshime teknike. Skandaloz është anulimi i konkursit, pasi që aplikantët iu kanë nënshtruar testit pranues me shkrim.

Në bazë të rregullores nr.02/2010 për procedurat e rekrutimit në shërbimin civil, konkursi mund të anulohet në rast se kandidatët nuk i kanë plotësuar kriteret formale për aplikim apo gjatë testimit a intervistës me gojë, nuk kanë arritur pikët minimale për rekrutimin për ketë pozitë. Kjo dëshmon që Komuna e Podujevës ka vepruar kundërligjshëm.

Lëvizja VETËVENDOSJE! në bazë të informatave të brendshme, konsideron se anulimi i konkursit është bërë për shkak të mos përmbushjes së kritereve të aplikanteve të preferuar të tyre apo thëne më drejtë, të Kryetarit te Komunës”, thuhet në njoftimin e tyre.