VV e konsideron joserioze kërkesën e PSD-së për seancë të jashtëzakonshme

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu i është përgjigjur kërkesës së Partisë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit, për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, ku do të votohej një rezolutë për bisedimet Kosovë – Serbi.

Lajme

06/08/2018 16:48

Ajo në një shënim në Facebook tha se kjo kërkesë e PSD-së është joserioze dhe hipokrite.

Postimi i plotë i Haxhiut në Facebook:

Kur në Kryesinë e Kuvendit është vendosur për pushim të Kuvendit, kjo nuk është kundërshtuar nga PSD, madje as atë të hënë kur ndonëse nuk u votua ndonjë rezolutë e Kuvendit për shkak të mungesës së kuorumit, nuk kundërshtuan shkuarjen në pushim andaj tani kërkesat e tyre janë joserioze dhe hipokrite.

Por poashtu kanë qenë fare pak të përfshirë në debat madje shumë pak prej tyre, dy apo tre kanë qëndruar në sallë në kohën e debatit, shumë pak prej tyre kanë folur. Komplet qasje joserioze e shpërfillëse ndaj debatit që e kishin thirrur.

PSD tashmë e ka uzurpuar pozicionin e nënkryetares në Kryesinë e Kuvendit andaj të paktën tani le t’i shfrytëzojnë të gjitha të drejtat dhe mundësitë që i jep Rregullorja e Punës.

Ata duhet të kuptojnë poashtu që ne si grup kemi propozuar pika për votim lidhur me dialogun dhe atë si në vijim:

Të ndërpitet formati aktual i dialogut me Serbinë

Askush në emër të Kosovës nuk mund t’i negociojë çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës

Reciprocitet i plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë

Reciprocitet i të drejtave të popullit shqiptar në Serbi me popullin serb në Kosovë

Padi për gjenocid kundër Serbisë

Hashim Thaçi është person jokredibil për ta udhëhequr dialogun e ardhshëm me Serbinë

Nëse këto nuk përfshihen, s’ka kuptim asnjë rezolutë tjetër”.