VV dhe LDK akuzojnë njëra tjetrën për flirtim me PDK-në

Në Seancën e Jashtëzakonshme për të votuar shpërbërjen e Kuvendit, partitë opozitare rishfaqën mos-koordinim në qëndrimet e tyre për rrëzimin e qeverisë aktuale. 

Lajme

07/05/2014 13:51

Shefat e Grupeve Parlamentare të partive opozitare që po mundohet ta ndëshkojnë Qeverinë për mos punën e saj, në seancën e sotme, po e akuzojnë njëra tjetrën se kush po flirton më shumë me Kryeministrin Hashim Thaçi.

Shefi i GP të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, parti kjo që ka shprehur qëndrimin kundër votimit për shpërbërjen e qeverisë, duke përmendur keqqeverisjen, akuzoi partitë tjera opozitare, me theks të veçantë, LDK-në, se po i bënë favore PDK-së.

Ymeri tha se Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka zgjedhur rrugën për bashkëpunim me Kryeministrin Thaçi në fushën e bisedimeve me Serbinë, dhe tash po e kërkon votën e Vetëvendosjes për shpërbërje.

“Më 6 prill 2011 LDK u dorëzua, Isa ju nënshtrua. Presidentja doli nga zarfi. Si pasojë e kësaj marrëveshje Mustafa-Thaçi erdhën një sërë marrëveshjesh me Serbinë”.

“Sa herë që vepruam si deputet në mbrojtjen e interesit shtetërorë kuvendi triumfonte, por këto raste u rralluan”.

“Për Shën Valentin, Thaçi e Mustafa u pajtuan që të shpërbëjnë Kuvendin, a thua se faji bie vetëm mbi Kuvendi, e kështu duke amnistuar kështu qeverinë”.

“Rruga drejt zgjedhjeve duhet të jetë përmes rrëzimit të qeverisë. Ndryshimi në Kosovë vije përmes ndëshkimit të qeverisë dhe politikave të saj”.

“Një mocion i tillë duhet të përmbajë edhe kundërshtimin e marrëveshjeve me Serbinë”.

“Ju e zgjodhët rrugën me bashkëpunimin e Thaçit, e tani po e kërkoni votën tonë. Ne nuk bëhemi pjesë e kësaj marrëveshje. Kosova nuk ndryshon duke bërë marrëveshje me Thaçin”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Shefit të GP të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili përmes replikës tha se është Vetëvendosje që përmes flirtimit me PDK-në, e kanë fituar garën për të udhëhequr me Komunën e Prishtinës.

“Unë i them Z. Ymeri se e ka gabuar adresën se pozita është PDK por ky ka gabuar se në Prishtinë janë bashkë, dhe paskan flirtuar gjatë gjithë kohës. Është e rëndësishme të shkohet në zgjedhje, dhe kush dëshiron të ja zgjat jetën kësaj qeverie, po shihet sot, pra jeni ju”.