VV: Deputetët që mbrojnë Republikën, po përndiqen nga regjimi Mustafa-Thaçi

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur dhe vepron sipas direktivave të pushtetit. Sipas Vetëvendosjes, përndjekjet e fundit të deputetëve janë tipike për regjimet autoritare.

Lajme

27/02/2016 20:43

Në Facebook, Vetëvendosje ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj tre deputetëve, Ismajl Kurteshi, Shqipe Pantina dhe Bali Muharremaj.

“Dje, forcat e Policisë së Kosovës brenda Kuvendit, përveç që rrahën e tërhoqën zvarrë nga salla e Kuvendit deputetët e opozitës, arrestuan tre prej tyre. Deputetët e arrestuar dolën sot para gjyqit në Gjykatën Themelore – Departamenti i Krimeve të Rënda. Prokurorja Merushe Llugiqi ka kërkuar 30 ditë arrest shtëpiak për deputeten Shqipe Pantina, 30 ditë arrest shtëpiak për deputetin Ismajl Kurteshi, si dhe masën për paraqitje në polici për deputetin Bali Muharremaj. Gjyqtarja Alltene Sulejmani i shqiptoi këto masa për deputetët, sipas kërkesës së prokurores. Me këtë, numri i deputetëve opozitarë që aktualisht janë nën masat si paraburgim, arrest shtëpiak, dhe paraqitje në polici, arrin në 14”, thuhet në re agimin e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje thotë se deputetët e opozitës po e mbrojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës, brenda Kuvendit të Republikës dhe veprimet e tyre janë tërësisht legjitime karshi rreziqeve që ia ka sjellë Kosovës funksionimi normal i institucioneve në qeverisjen Mustafa-Thaçi.

“Përndjekjet e deputetëve të opozitës janë tipike për regjimet totalitare. Por lëvizja gjithëpopullore protestuese nuk do të ndalet, deri në anulimin e marrëveshjeve të dëmshme për Republikën e Kosovës, deri në largimin e kësaj qeverie antikushtetuese dhe shtypëse dhe deri në instalimin e një rendi ligjor demokratik. Institucionet nuk do të normalizohen deri në zgjedhje të reja.”/lajmi.net