Vuniqi kërkon mbështetjen e Luksemburgut për liberalizimin e vizave, konfirmon përmbushjen e kritereve

Zëvendës ministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, në kuadër të vizitës zyrtare në Luksemburg, ka zhvilluar takime të rëndësishme me autoritetet e shtetit të Luksemburgut.

Lajme

25/04/2018 14:49

Zëvendës ministrja Vuniqi është pritur në takim nga drejtoresha për Punë Evropiane dhe marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare të Luksemburgut, Michele Eisenbarth, si dhe nga Drejtori për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëta​re dhe aksion humanitar, Manuel Tonnar.

Fokusi i diskutimeve në këto takime ka qenë mbështetja e Luksemburgut në rrugëtimin euro-integrues të Kosovës, me theks të veçantë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Numri dy i Ministrisë së Punëve të Jashtme Vuniqi, ka kërkuar nga autoritetet e Luksemburgut mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi siç iu ka thënë ajo, Kosova ka përmbushur edhe kriterin e fundit, atë të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si dhe është duke u angazhuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas Vuniqit, Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kriteret e parashtruara nga Bashkimi Evropian dhe me të drejtë pritet që shtetet e BE-së, e në këtë rast Luksemburgu të angazhohet për lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës në BE.

“Pas miratimit të Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, ne presim që Komisioni të njoftojë Këshillin rreth implementimit të kritereve për liberalizimin e vizave. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi mbështetjen tuaj”, u ka thënë Vuniqi autoriteteve të Luksemburgut.

Në takime, Vuniqi ka kërkuar mbështetjen e Luksemburgut edhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe është kërkuar përkrahje edhe në aspektin e lobimit për më shumë njohje të shtetit të Kosovës./Lajmi.net/