Vullneti për ndryshim

Vetëvendosje mbajti tubim parazgjedhor në Zhegër të Gjilanit. Albin Kurti u tha votuesve se me fitoren e Vetëvendosjes, policia nuk do të frikësohet nga kriminelët. Përkundrazi.

Lajme

30/10/2013 10:56

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë dje në Zhegër të Gjilanit se kur të vijë Vetëvendosje në pushtet, policia nuk do t’u frikësohet kriminelëve, por do të ndodh e kundërta.

“Më ka ra në krejt Kosovën të bëjë shumë kilometra rrugë. Asnjëherë nuk po shoh teksa patrullat e policisë ndalin një xhip të zi e të shtrenjtë, por vetëm ndalin ndonjë Golf 2 të lodhur, që e pyesin për rripin e sigurisë, apo a e ka trekëndëshin”.

“A e dini pse ndodh kjo? Sepse brenda veturës xhipit të zi frikësohen se mos po iu del ndonjë Ngadhënjim a Guxim Grabovci, djemtë e Adem e Grabovcit. Ne do të bëjmë që kriminelët t’i frikësohen policisë, e jo policia kriminelëve”.

Në këtë tubim, Kurti ka folur për Kandidatin e Vtevëvendosjes për Kryetar të Komunës së Gjilanit, Ismajl Kurteshi të cilin e ka vlerësuar si “njeri i drejtë, i vendosur, i pakorruptuar, ndonëse ka pasur poste publike”.

Më pas, Kurti ka folur edhe për zhvillimin ekonomik të bazuar në prodhim dhe po ashtu për rëndësinë e industrisë përpunuese ushqimore.

Ndërsa Ismajl Kurteshi u ankua që fillimi i këtij tubimi u përcoll me ndërprerjen e rrymës. Kurteshi për këtë akuzoi pushtetin komunal.

“Ata na ndalën rrymën dhe ju jeni edhe vetë dëshmitarë. Kohën e fillimit të tubimit e kanë ditur të gjithë pasi që ishte paralajmëruar më herët. Ata mund ta ndalin rrymën, por nuk munden kurrë që ta ndalin vullnetin e qytetarëve për ndryshime të mëdha dhe për të fituar Vetëvendosje më 3 nëntor”, tha Kurteshi.

Ai pasi prezantoi në pika të shkurta alternativën qeverisëse lokale, është zotuar para pjesëmarrësve se do të ketë trajtim të barabartë të të gjithëve pa dallim, si dhe ka treguar për dëmet që janë shkaktuar nga kjo qeverisje lokale në Gjilan.

“Me qeverisjen tonë lokale, nuk do të blejmë dru deri në 47 euro për 1 metër. Ne do të punojmë me çmimin e zakonshëm të tregut. Asgjë nuk do të blejmë më shtrenjtë për komunën, ashtu siç duam edhe ne për veten tonë”, tha Kurteshi.