Vulin vendos për Ministrat e Kosovës

Tre ministra kosovarë kanë bërë kërkesë për të vizituar Preshevën. Zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Zoran Stankovic, thotë se është përgjegjësi e Aleksandar Vulit që të vendosë nëse organet shtetërore serbe do ta lejojnë këtë vizitë.

Lajme

27/10/2013 11:52

Shefi i Trupit Koordinues për Serbinë e Jugut në Qeverinë serbe, Zoran Stankovic ka thënë se është përgjegjësi e Ministrit pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, që të vendosë nëse organet shtetërore serbe do të lejojnë Ministrat e Qeverisë së Kosovës të vizitojnë Luginën e Preshevës.

Stankovic thotë se Vulin është personi përgjegjës për të vlerësuar lejet për vizita të tilla.

“Ai është njeriu i cili bashkë me organet tjera të shtetit vlerëson nëse vizita e dikujt mund të çojë në ndonjë aktivitet të padëshiruar, ose në ndonjë aktivitet që nuk është në pajtim me Kushtetutën tonë, ligjet dhe rregullat për pakicat kombëtare”.

Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku, Ministri i Financave, Besim Beqaj dhe Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani kanë bërë kërkesë për të vizituar Preshevën gjatë këtij muaji dhe janë në pritje të përgjigjes së autoriteteve serbe.

Nuk dihet sesa e hapur do të jetë Qeveria e Serbisë ndaj vizitave të mundshme në Luginë të Preshevës, e posaçërisht nëse Aleksandër Vulin do të ketë vullnet, nëse varet krejtësisht nga ai, që të lejojë ministrat e Qeverisë së Kosovës të vizitojnë Preshevës, në kohën kur Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimeve kundër tij, për kalimin në mënyrë të paligjshme të kufirit ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Ditë më parë Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që të lëshojë urdhër-arresti ndaj ministrit serb Aleksandar Vulin.

Kjo është bërë e ditur në një njoftim të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës.

“Ky vendim u mor për arsye të dyshimit se Aleksandar Vulin, më 17 tetor, 2013, në kohën e pacaktuar dhe pa leje, ka kaluar kufirin e Republikës së Kosovës me Serbinë, jashtë vendkalimit kufitar të autorizuar dhe ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës”.

Vulin nuk kishte përfillur javë më parë vendimin e Qeverisë së Kosovës, përmes së cilit atij i refuzohej kërkesa për të hyrë në Kosovë. Duke shfrytëzuar mungesën e kontrollit të Prishtinës në veri të Kosovës, ai hyri në Kosovë ilegalisht nga kjo pjesë, për çka tani po hetohet nga Prokuroria e Kosovës.