Vulin vazhdon glorifikimin e kriminelit serb që vrau shqiptarët, ja si i përgjigjet ambasadorit amerikan

Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin nuk ka hequr dorë së lavdëruari personat që kanë kryer krime gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë.

Lajme

11/10/2017 21:36

Ditë më parë Vulin i ka thurrur lavde ish-gjeneralit, Vladimir Lazareviq i cili u dënua nga Gjykata e Hagës për krime në Kosovë e më pas u lirua pasi kreu dy të tretat e dënimit.

Në lidhje me deklaratat e tij, ka reaguar ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott. Në rrjetin social Twitter, Scott ka shpërndarë një lajm të ‘Washington Post’ me titull ‘Ministri serb i Mbrojtjes lavdëron të dënuarin për krime lufte’, duke ia bashkangjitur një mbishkrim ku thotë se kjo deklaratë mund të minojë muaj të punës për përmirësimin e imazhit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mirëpo, Vulinin nuk e ka mërzitur aspak reagimi i ambasadorit amerikan, transmeton lajmi.net.

“Lazareviq është një njeri i lirë dhe unë kam të drejtën time për ta respektuar luftën e tij dhe të popullit tim”, ka thënë Vulin në përgjigje të komenteve të Scott.

Ai ka shtuar se Serbia nuk ka provokuar ndonjë luftë dhe nuk duhet të ketë turp që ta mbrojë atë.

“A duhet të lavdëroj bombardimet e NATO-së dhe të kërkoj një justifikim për ndarjen nga Kosova? Unë nuk heqë dorë nga ushtria ime, as nga Lazareviq. Pas këtij sulmi të mediave ndaj meje unë jam gati të paguaj çmimin për këtë”, ka përfunduar Vulin./Lajmi.net/