Vulin përdorë krahasim banal, thotë se ‘Shqipëria e madhe’ është e rrezikshme sa terrorizmi

Ideja e krijimit të ‘Shqipërisë së Madhe’ nuk po i hiqet nga mendja ministrit të Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin.

Lajme

21/01/2019 23:28

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin edhe sot ka folur rreth krijimit të ‘Shqipërisë së Madhe’. Gjatë një interviste për gazetën serbe ‘Kurir’, Vulin ka përdorur edhe krahasimet më banale nga ‘rreziku’ i kësaj ideje, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se nuk pret reagim nga Bashkimi Evropian për deklaratat e liderëve shqiptarë lidhur me këtë ‘teori’.

“Nuk pres shumë nga BE. Unë kam paralajmëruar gjatë këtyre viteve krijimin e një ‘Shqipërie të madhe’ dhe tani po del se kam pasur të drejtë. ‘Shqipëria e madhe’ është kërcënimi më i madh për paqen në Ballkan, më i madh sesa terrorizmi islamik. Kjo nuk mund të krijohet pa prishjen e Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Serbisë”, është shprehur ministri serb, përcjell lajmi.net.

Sipas tij, synimi i shqiptarëve është ta dëmtojë Serbinë sa më shumë që është e mundur.

“Rama nuk po i heq kufijtë ndaj shteteve por ndaj shqiptarëve. Ai nuk e shpjegoi idenë e tij se a është për ekonomi apo integrim në BE por fakti se shqiptarët jetojnë në dy anët e kufirit dhe se nuk duhet të ketë pengesa mes tyre”, ka deklaruar Vulin.

Tutje, ai ka thënë se pret nga Gjykata Speciale qëllime të mira dhe lëvizje konkrete në gjykimet e para.

Vulin ka thënë se çështja e Kosovës është hequr nga OKB dhe është transferuar në BE prandaj ky proces mbetet i pakthyeshëm. /Lajmi.net/