Vulin nuk ndalet së propaganduari

Aleksander Vulin do të vijë përsëri në Kosovës, kësaj radhe për të shpërndarë indeksa për studentët e rinj në Universitetin Paralel të Prishtinës, në Mitrovicë.

Lajme

01/10/2013 10:06

Ministri pa Portofol i Qeverisë së Serbisë, i ngarkuar për Kosovën, Aleksandër Vulin si dhe Ministri serb i Arsimit Tomislav Jovanovic, do të shfrytëzojnë vizitën e sotme në Universitetin paralel të Prishtinës që gjendet në veri të Mitrovicës për të bërë propagandë politike.

Mediat serbe citojnë ministrin Vulin të ketë thënë se kjo vizitë do të shfrytëzohet për t’u treguar të rinjve se Serbia do të qëndrojë në Kosovë edhe pas zgjedhjeve.

Gjatë qëndrimit të tyre në pjesën veriore të Kosovës ata do të shpërndajnë indekse për studentët e këtij universiteti paralel si dhe do të marrin pjesë në hapjen e një konvikti që gjendet në kampusin e këtij universiteti.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme të Kuvendit të Kosovës, Ahmet Isufi ka thënë se ky komision do t’i shqyrtojë vizitat dhe deklaratat e ministrit Vulin.

Një ditë më parë, Florian Dushi, anëtar i KQZ’së nga LDK ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’ia ndalojë Vulinit aktivitetet politike brenda Kosovës.