Vulin: Nuk ka ndryshim të politikës serbe ndaj Kosovës

Aleksandar Vulin thotë se Serbia nuk do të ndryshojë qëndrim politik ndaj Kosovës. Thotë se Serbia kurrë nuk do ta njehë pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, Projektligji për Zgjedhjet, diskriminon serbët e Kosovës duke mos u lejuar atyre të votojnë.

Lajme

03/04/2014 17:00

Ministri serb pa Portofol i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, ka thënë sot se nuk do të ketë ndryshim të politikës serbe ndaj Kosovës.

Vulin gjatë qëndrimit në Graçanicë, ka garantuar se Marrëveshja e Brukselit do të zbatohet, ndërsa ka shprehur shqetësim lidhur me Projektligjin e Zgjedhjeve.

Ai nuk ka dashur që të komentojë lidhur me deklaratën e Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic, lidhur me ndryshimin e rezolutës serbe për Kosovën, por ka thënë se nuk do të ketë ndryshim të qëndrimit të Serbisë karshi Kosovës.

“Nuk do të ketë ndryshim të politikës serbe ndaj Kosovës. Nuk do ta njohim Kosovës si shtet. Marrëveshja e Brukselit do të zbatohet dhe çdo gjë për të cilin jemi rënë dakord. Do të kemi qasje ditore në Kosovë”.

Vulin ka shfaqur shqetësimin e tij për Projektligjin e Zgjedhjeve, që sipas tij, shkelë Marrëveshjen e Brukselit.

“Nëse ju dëshironi serbë në Kosovë, nëse dëshironi që ata të jetojnë këtu, që të vendosin për fatin e vet, mundësojeni që këtë ta bëjnë. Duhet t’ia mundësoni votën, që të kenë të drejtat themelore. Nëse nuk e doni këtë, atëherë ndryshojeni ligjin dhe tregoni se këtu nuk ka vend për serbët”.

Sipas tij, ideja për të votuar vetëm shtetasit e Kosovës dhe jo ata të cilët kanë dokumente tjerë, paraqet spastrim etnik.