Vulin bën fushatë për Listën Serbe

Aleksander Vulin mbledh në Beograd kandidatët për kryetarë të komunave nga Lista Qytetare Serbe. Ai tha se serbët më 3 nëntor do të vendosin nëse shteti i Serbisë të vazhdojë të funksionojë në Kosovë.

Lajme

30/09/2013 13:48

Në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale në Kosovë, Ministri pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin u takua në Beograd me kandidatët për kryetarë ë komunave të “Listës Qytetare Serbe”. Vulin u bëri thirrje serbëve të Kosovës të votojnë për kandidatët e kësaj liste, sepse “nga ta pritet që të mbrohen interesat e Serbisë dhe qytetarëve serbë të Kosovës”.

Vulin ka vlerësuar se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë nuk janë zgjedhje të zakonshme, por të tilla në të cilat votuesit duhet të zgjedhin nëse duan që të sigurojnë “që shteti i Serbisë të vazhdojë të funksionojë në territorin e Kosovës dhe Metohisë”.

“Votoni për ose kundër “Listës Serbe”, opsion të tretë nuk ka”, ka thënë ai.

Vulin e ka quajtur të papranueshme atë që Prishtina, sipas tij, po e bën duke u munduar ta zvogëlojë numrin e votuesve serbë ndërsa paralajmëroi se për këtë problem do të diskutohet edhe në Bruksel.

Kandidati për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut Krstimir Pantic ka thënë se këto nuk janë zgjedhje me të cilat serbët e pranojnë Kosovën e pavarur, por “zgjedhje në të cilat serbët do të vendosin nëse do të qëndrojnë në Kosovë”.

Përveç Pantic’it, në këtë takim kanë marrë pjesë edhe kandidatët Branimir Stojanovic, Ivan Redic, Dragan Nikolic, Srecko Spasic, Svetislav Jovanovic, Gradimir Mikic, Dragan Jablanovic, Stevan Vulovic dhe Dragan Nedeljkovic.