Vuçiq: Zgjidhja Kosovë-Serbi nuk ka të bëj me guximin tim

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq së bashku me homologun austriak, Aleksander Va nder Benoin po marrin pjesë në panelin ‘Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian’ i cili po mbahet në kuadër të ‘Forumit të Sigurisë të Beogradit’.

Lajme

18/10/2018 11:50

Vuçiq është pyetur sot nga gazetarët se a dëshiron të hyjë në histori si figura kryesore që e ka zgjidhur problemin Kosovë-Serbi?

Presidenti serb ka thënë se është gjithmonë i gatshëm të flasë për një kompromis të vërtetë midis Beogradit dhe Prishtinës, por ka shtuar se kjo nuk ka të bëj me guximin e tij, transmeton lajmi.net.

“Ne kemi nevojë për paqe mes serbëve dhe shqiptarëve – serbët edhe shqiptarët kanë nevojë për të”,  ka deklaruar ai.

Duke përmendur vizitën e tij në Kosovë, ai ka thënë se nuk kishte frikë të shkonte mirëpo ishte dita më e vështirë politike në jetën e tij.

“U thashë atyre se i kemi përmbushur të gjitha detyrimet e Marrëveshjes së Brukselit ndërsa ajo që nuk është realizuar mbetet marrëveshja e Asociacionit të komunave serbe”.

Vuçiq ka thënë se në mënyrë që të arrihet një zgjidhje përfundimtare duhet të jetë e dhimbshme për të dyja palët përndryshe nuk do mund të ketë kompromis.

Tutje, ai ka theksuar se Serbia nuk pajtohet me formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Presidenti serb ka shtuar se nuk pajtohet me Shtetet e Bashkuara për të gjitha çështjet që lidhen me Kosovën por është nevoja që problemi të zgjidhet. /Lajmi.net/