Vuçiq takohet me Mitsotakis, merr mbështetjen e Greqisë kundër Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar sot me liderin e partisë më të madhe opozitare greke Demokracia e Re, Kyriakos Mitsotakis.

Lajme

13/11/2018 11:35

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar sot me liderin e partisë më të madhe opozitare greke Demokracia e Re, Kyriakos Mitsotakis nga i cili mori zotimin se Greqia nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj në raport me Kosovën dhe se Beogradi mund të llogaritë në mbështetjen e Athinës për çështjen e integritetit territorial në të ardhmen, transmeton lajmi.net.

“Ne e kemi lutur të na ndihmojë në gjëra konkrete, nga vota në INTERPOL tek disa çështje tjera”, u shpreh Vuçiq para gazetarëve pas takimit me Mitsokatis në Beograd.

Vuçiq po ashtu shtoi se e njoftoi atë për tarifat e reja tatimore të vëna në fuqi nga Prishtina për mallrat e importuara nga Serbia, pas marrëveshjes së CEFTA-s.

“Nuk kam dashur ta vë në pozitë të papërshtatshme duke i kërkuar vlerësim, por i kam shpjeguar se nuk është në pyetje vetëm raporti ndaj Beogradit dhe Prishtinës, por raporti i Prishtinës ndaj të gjithëve, theksoi Vuçiq, përcjell lajmi.net.

Vuçiq e falënderoi Mitsotakisin për mbështetjen e Greqisë ndaj Serbisë në rrugën drejt integrimit evropian.

“Kemi konstatuar se na lidhë një miqësi e sinqertë, por kemi biseduar edhe për mënyrat konkrete për përmirësimin e bashkëpunimit. Nuk kemi shumë shokë të mirë dhe të sinqertë si Greqia dhe jam i sigurt se raporti ynë do të jetë i mirë dhe i afërt edhe në të ardhmen”, përfundoi Vuçiq. /Lajmi.net/