Vuçiq pret Williamson-in

Clint Williamson ka realizuar sot një vizitë në Beograd, ku është takuar me Kryeministrinë e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 

Lajme

22/07/2014 13:59

Prokurori amerikane, Clint Williamson është takuar sot me Kryeministrin e Serbisë, Alksandar Vuçiq, ku është biseduar për hetimet lidhur me raportin e Dick Marty-it, për trafikim të organeve gjatë luftës në Kosovë.

Kryeprokurori i Task-Forcës Speciale Hetuese (SITF), Clint Williamson, pas vizitës në Prishtinë, ka udhëtuar sot në Beograd, për t’u takuar me krerët institucionalë serbë.

Siç thuhet në komunikatën e Kryeministrisë së Serbisë, Vuçiq gjatë takimit me Williamson-in, ka thënë se raporti për hetime është i një rëndësie të veçantë për Serbinë dhe se, sipas tij, ai do të dëshmojë objektivitetin e institucioneve të BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi në hetimet për krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë, por edhe në hapësirat tjera ish-Jugosllave.  

“Që nga fillimi, ne kemi pritur një qasje objektive, dhe këtë prokurori Williamson me punën e tij, në mënyrën më të mirë ka treguar reputacionin si një luftëtar për respektimin e drejtësisë”.

Ndërsa, sipas raportimeve në mediat vendore, thuhet se në raportin e prokurorit Williamson, përfshihet aktakuza për, siç thuhet, 10 ish-pjesëtarë të UÇK-së, të cilët ngarkohen për kryerjen e krimeve të luftës.