Vuçiq: Nëse largohet UNMIK-u dhe formohet ushtria e Kosovës, Serbia do të mbetet pa zgjidhje

Nikki Haley i ka dërguar letër sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në të cilën ka kërkuar që UNMIK-u të tërhiqet nga Kosova.

Lajme

17/10/2018 13:33

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Nikki Haley, në ditën kur ajo njoftoi për tërheqjen e saj nga ky post, i ka dërguar edhe një letër sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në të cilën ka kërkuar që UNMIK-u të tërhiqet nga Kosova, raporton lajmi.net.

Kjo kërkesë e Haleyt ka ngjallur reagime të shumta në Serbi.

Lexo edhe: 

Haley kërkon tërheqjen e UNMIK-ut nga Kosova, kundërshtohet nga Serbia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas publikimit të këtij lajmi, ka thënë se me këtë kërkesë të ambasadores Haley që i ka bërë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, u vërtetua fakti se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova është shtet i pavarur., transmeton lajmi.net.

“Më këtë kërkesë, ajo (Haley), dëshiron që t’i heq të gjitha gjurmët e Rezolutës 1244 dhe rendin juridik ndërkombëtar dhe të tregojë se vendimi i tyre ishte i vetmi i mundshëm, ligjërisht i vlefshëm dhe asgjë më shumë”, ka deklaruar Vuçiq, para gazetarëve pas takimit me Presidentin austriak Aleksander van der Benoit.

Sipas tij, një vendim i tillë mund të merret vetëm në përputhje me interesat e SHBA-së dhe se sipas tij, kjo a të bëj me stabilitetin e paqes në Ballkanin Perëndimor, përcjell lajmi.net.

Sipas presidentit Vuçiq, largimi i UNMIK-ut nga Kosova dhe themelimi i ushtrisë së Kosovës, do t’ia vështirësonin punët Serbisë pasi që me këtë veprim Serbia më nuk do të mund të këtë të drejtën as për të zgjedhur dhe as për asgjë.

“Largimi i UNMIK-ut, si dhe formimi i Ushtrisë së Kosovës, do ta çonin Serbinë në një pozitë shumë të vështirë në të cilën nuk kemi më zgjedhje, as të drejtën për të zgjedhur asgjë dhe të drejtë të bëjmë gjë tjetër veçse të mbrojmë vendit dhe popullit tonë”, deklaroi më tutje Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Vuçiq shtoi se shpreson që askush nuk do të “thyejë rendin juridik ndërkombëtar për të treguar se ai mund të bëjë gjithçka që dëshiron në botë”.

Kujtojmë se në lidhje me kërkesën e SHBA-së në OKB për largimin e UNMIK-ut nga Kosova ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se realizimi i kërkesës së Haley do të ishte “shuplakë ndaj përpjekjeve për arritjen e paqes”, por edhe rikthim i presioneve politike. /Lajmi.net/