Vuçiq: Në ShBA kam thënë se nuk do ta njohim Kosovën

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka përfunduar vizitën në Washington. ​Ai me këtë rast për B92 ka deklaruar se në kryeqytetin e ShBA ka biseduar me të gjithë ata që vendosin për Serbinë.

Lajme

04/06/2015 21:45

“Amerikanët respektojnë reformat ekonomike të Serbisë, ata respektojnë stabilitetin politik për të cilin ka luftuar Serbia në rajon. Ata natyrisht se kanë kërkesat e veta. Në nivelin bilateral nga rasti Bytyçi e djegia e ambasadave, këto janë më të rëndësishmet, deri te disa gjëra të tjera në rrugën tonë evropiane. Kur bisedoni me një superfuqi të tillë botërore e mësoni edhe ku e keni vendin, mbroni interesat tuaj kombëtare e shtetërore dhe shikoni si ta ruani në mënyrën më të mirë Serbinë “, ka thënë Vuçiq duke shtuar se në Washington ka thënë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.

Vuçiq konsideron se në Washington Serbia absolutisht ka marrë përkrahje për hapjen e kapitujve të parë për negociata me BE-në.

“Ne nuk kemi kërkuar para, ne paratë do t’i fitojmë vetë. E keni parë edhe vetë se edhe sot kam thënë se nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës, nuk i kam fshehur qëndrimet e mia, por gjithashtu jam krenar për faktin se Serbia sot gëzon autoritet më të madh dhe se do ta ketë përkrahjen e ShBA”, ka thënë ndër të tjera Vuçiq.