Vuçiq ndez intrigën rreth ndryshimeve kushtetuese për Kosovën

Komenti i presidentit Aleksandar Vuçiq këtë javë, se Serbia nuk ka guximin të ndryshojë kushtetutën ka ringjallur spekulimet për kërkesat jozyrtare nga shtetet e BE-së që Beogradi ta heqë preambulën kushtetuese që e definon Kosovën si pjesë të Serbisë.

Lajme

13/08/2017 10:44

Vladimir Medjak nga Lëvizja Europiane në Serbi tha për BIRN se e vetmja iniciativë e tanishme për të ndryshuar kushtetutën lidhet me reformën e gjyqësorit, një ndryshim që është i domosdoshëm si pjesë e procesit të pranimit të Serbisë në BE.

“Nuk jam i sigurt se për çfarë mungese forcë po flasim këtu, kur kemi një shumicë në qeveri që e mbështet Vuçiq-in. Nëse propozimi do të ishte i mirë, unë besoj se një pjesë e mirë e opozitës do të votonte për të gjithashtu”, tha Medjak.

Medjak shpjegoi se ndryshimet kushtetuese mbi reformën e gjyqësorit duhet të miratohen deri në fund të vitit aktual, që do të thotë se Serbia tashmë është prapa me planin.

Skenari tjetër ai i ndryshimeve lidhur me Kosovën sipas Medjak do i shtynte edhe më tutje ndryshimet pasi një debat publik për Kosovën, i cili u njoftua kohët e fundit nga Vuçiq, nuk do të përfundojë në kohë.

Medjak thotë se preambula kushtetuese gjithashtu mund të ndryshohet, nëse është e nevojshme, në përfundim të negociatave të Serbisë me BE-në, në të njëjtën kohë kur Beogradi miraton të ashtuquajturën, klauzola e integrimit, e cila mundëson që institucionet e BE-së të miratojnë rregullore që do të zbatohen në Serbi .

“Tani për tani kemi detyrimin e reformës gjyqësore dhe klauzolën e integrimit në fund [të procesit të pranimit]”, tha ai.

Zërat e pakonfirmuar kanë qarkulluar që kur Serbia filloi procesin e pranimit në BE, që disa vende evropiane po bëjnë presion mbi Beogradin që të heqë dorë nga angazhimi i tij kushtetues për kontrollin mbi Kosovën.

Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonalizim tha për BIRN se ai beson se thirrja e fundit e Vuçiq për “dialogun publik” për Kosovën do të thotë se ai nuk mund të bëj një ndryshim kaq të diskutueshëm në politikë.

“Nëse parlamenti do të votonte për ndryshimet, Vuçiq mund të jetë në gjendje të arrijë shumicën me opozitën liberale, por [ndryshimet kushtetuese] gjithashtu i nënshtrohen një referendumi”, tha ai.

Popov është i bindur se çdo ndryshim kushtetues që përfshin largimin e preambulës për Kosovën do të refuzohet nga shumica e votuesve serbë.

“Ai [Vuçiq] është në udhëkryq. Nëse ai po shkon pas ndryshimit kushtetues [për Kosovën], tani nuk ka asnjë shans që të mund ta arrijë këtë”, tha Popov.

Ndryshimet në kushtetutë propozohen nga qeveria, pas së cilës ato duhet të miratohen nga një shumicë prej dy të tretash në parlament, ose 167 deputetë. Koalicioni qeverisës i kontrolluar nga Vuçiq ka 160 vende.

Pas kësaj, duhet të ketë një referendum në të cilin 50 përqind, plus një votues duhet të hedhin fletëvotimet në favor të ndryshimeve, në mënyrë që ato të miratohen.