Vuçiq: Marrëveshja Kosovë-Serbi, vetëm nëse pajtohen të dyja palët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të arrihej vetëm nëse ka pajtim nga të dyja palët.

Lajme

25/07/2017 20:01

Sipas Vuçiqit dy gjëra janë tejet të rëndësishme.

“Së pari, unë mendoj se kjo çështje është shumë e vështirë të zgjidhet. Shanset janë të vogla, por edhe pse të vogla është me vlerë të provohet, sepse ne jemi të interesuar për të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha presidenti serb, transmeton lajmi.net

Zgjidhja sipas tij është e mundshme, vetëm nëse arrihet një marrëveshje e cila do t’i linte të kënaqura, ose pak të kënaqura të dyja palët.

“Është e mundur vetëm nëse të dy palët janë të kënaqura, ose deri dikund të kënaqura”, shtoi Vuçiq.

Ai tha se ka nevojë për një çasje gjithpërfshirëse, serioze me shqiptarët, vetëm nëse këta të fundit duan.

“Nëse jo, atëherë për asgjë nuk do të ishte hera e parë”, shtoi ai.

Vuçiq kërkoi një marrëveshje objektive, serioze, të përgjegjshme, dhe për të ardhmen e mirë të dy vendeve. /Lajmi.net/