Vuçiq lobon te ndërkombëtarët për ndalimin e ligjit për Trepçën

Beogradi zyrtar është duke tentuar që përmes përfaqësuesve ndërkombëtar në Kosovë të ndalojë miratimin në Kuvend të ligjit për Trepçën. 

Lajme

17/01/2015 11:38

Burime të së përditshmes serbe “Danas” kanë thënë se Kryeministri i Serbisë, është duke lobuar te ndërkombëtarët që Trepça të mos i kthehet Qeverisë së Kosovës, transmeton lajmi.net.

Sipas kësaj të përditshme, Vuçiq do të mundohet që çështjen e Trepçës ta fus në agjendën e takimit të radhës në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

“Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke u përpjekur që përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare t’ia sqarojë pasojat e miratimit të ligjit në Kuvendin e Kosovës, si dhe për të ndaluar miratimin e këtij ligji që pritet të bëhet të hënën”, shkruan sot Danas, bazuar në burime brenda Qeverisë së Serbisë.

Kuvendi i Kosovës të hënën, me procedurë të shpejtë, do të fusë në rend të ditës projektligjin për ndryshimin e statusit të Trepçës, përmes të cilit, ky kombinat do të bëhet si ndërmarrje publike.  (lajmi.net)