Vuçiq kërkon përfshirjen e Serbisë në hetim për vrasjen e Ivanoviqit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka vlerësuar si akt terrorist vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe se Serbia ndaj këtij akti ashtu do të sillet.

Lajme

16/01/2018 13:44

Duke iu drejtuar mediave pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare, e mbajtur urgjentisht pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Vuçiq tha se në emër të shtetit të Serbisë dhe në emrin e tij dhe të qeverisë i shpreh ngushëllime familjes.

“Për shtetin e Serbisë ky është akt terrorist dhe në pajtim me atë ne edhe do të sillemi”, ka thënë ai, transmeton lajmi.net.

“Kryerësit e këtij akti do të kapen, nëse këtë nuk e bëjnë atë (organet e Kosovës), do ta bëjmë ne”, ka thënë Vuçiq, duke kërcënuar kështu institucionet Republikës së Kosovës dhe vetë shtetin e Kosovës.

Sipas tij, në mbledhjen e Këshillit është arritur pajtimi dhe i është dërguar letër organeve të EULEX-it dhe UNMIK-ut që organet shtetërore të Serbisë të marrin pjesë në kryerjen e hetimeve në territorin e Kosovës.

“Pasi që jemi të bindur se kjo do të thoshte edhe zbulim i të vërtetës së vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Do ta gjejmë vrasësin ose vrasësit. Nuk dua të spekuloj për kryerësit dhe nuk dua të flas për ato që i dimë dhe që i kemi. Nuk dua të spekuloj, por ka detaje interesante që tregojnë për vrasësit e mundshëm”, ka thënë Vuçiq, i cili tërthorazi e ka pranuar që vrasja ose është porositur ose është kryer nga njerëz brenda Serbisë.

“Është vrarë një njëri që është prind, bashkëshort dhe është shumë e sigurt që nuk ka qenë dikush që ka bërë thirrje për përleshje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Kushdo që e ka bërë, serb, shqiptar, i huaj, ka kryer sulm ndaj familjes Ivanoviq, ndaj serbëve në Kosovë, në veri të Kosovës, në serbët në përgjithësi”, ka thënë presidenti i Serbisë. /Lajmi.net/